Kreu Tjetër BE ndalon etiketimet “burger” për produktet me origjinё bimore, kritikët: “Populizëm me...

BE ndalon etiketimet “burger” për produktet me origjinё bimore, kritikët: “Populizëm me hot dogë”

Produktet “biftek” dhe “burger” me pёrmbajtje perimesh mund të zhduken nga tregjet e Bashkimit Evropian, pasi Parlamenti Evropian votoi të mërkurën për t’i kufizuar këto emërtime vetëm për produktet që përmbajnë mish — një fitore për fermerët që prej kohësh ankohen se zëvendësuesit bimorë i mashtrojnë konsumatorët dhe dëmtojnë tregun e tyre.

Shumë blegtorë në Evropë i shohin ushqimet me bazë bimore që ngjajnë me mishin si të rrezikshme për konsumatorin dhe si kërcënim për një sektor që tashmë ndodhet në vështirësi. Duke iu përgjigjur kërkesave të tyre, eurodeputetët në Strasburg miratuan një propozim për të rezervuar etiketat si “suxhuk”, “sallam”, “burger” dhe “biftek” vetëm për produktet që përmbajnë mish. Në këtë listë përfshihen edhe termat “hamburger”, “e verdha e vezës” dhe “e bardha e vezës”.

Megjithatë, ndalimi nuk do të hyjë menjëherë në fuqi. Teksti duhet të shqyrtohet nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian përpara se të bëhet ligj.

Celine Imart, fermere nga Franca dhe deputete e krahut të djathtë që propozoi nismën, e quajti votimin “një fitore për fermerët”. “Suxhuk do të thotë mish i prodhuar nga blegtorët tanë. Pikë,” shkroi ajo në platformën X. “Kjo është një votë për të njohur punën e tyre dhe për transparencë ndaj konsumatorëve.”

Ndërsa deputetja austriake Anna Sturgkh nga partia liberale NEOS tha se konsumatorët nuk janë aq të lehtë për t’u mashtruar. Ajo u shpreh me ironi: “Të besojmë konsumatorët dhe të ndalojmë këtë populizëm të hot dogëve.”

Propozimi, i mbështetur fuqishëm nga shoqatat e industrisë së mishit në Francë, kaloi me 355 vota pro dhe 247 kundër.

Në Gjermani, tregtarët, ambientalistët dhe shoqatat e konsumatorëve e kundërshtuan, duke paralajmëruar se kjo masë do të pengojë zhvillimin e alternativave të qëndrueshme ndaj mishit.

Irina Popescu, zyrtare e politikave ushqimore në organizatën e konsumatorëve BEUC, e quajti vendimin “zhgënjyes”. “Të dhënat tona tregojnë se gati 70 për qind e konsumatorëve evropianë i kuptojnë qartë këto emërtime, për sa kohë që produktet janë të shënuara si vegane ose vegjetariane,” u shpreh ajo.

Konsumi i produkteve bimore që zëvendësojnë mishin është rritur pesëfish në Bashkimin Evropian që nga viti 2011, i nxitur nga shqetësimet për mirëqenien e kafshëve, ndotjen nga blegtoria dhe arsyet shëndetësore.

Deputetët e grupit të Gjelbër e kundërshtuan ashpër ndalimin. Sipas deputetes holandeze Anna Strolenberg, “lobet e mishit po përpiqen të dobësojnë konkurrentët e tyre novatorë”. “Nëse doni t’i ndihmoni fermerët, jepuni kontrata më të mira dhe të ardhura më të qëndrueshme. Ndihmojini të përshtaten dhe të përmirësohen. Ndaloni së foluri për burgera dhe filloni të merreni me problemet e vërteta,” tha ajo.

Edhe brenda grupit më të madh në Parlament, Partisë Popullore Evropiane, pati kundërshtime. Deputeti gjerman Peter Liese e quajti propozimin “të pakuptimtë”. “Ne kemi probleme shumë më të rëndësishme tani,” shkroi ai në X, duke parashikuar se nisma nuk do të marrë mbështetjen e nevojshme nga shtetet anëtare për t’u kthyer në ligj.

Kjo nuk është hera e parë që produktet bimore me forma mishi përballen me ndalime. Një propozim i ngjashëm u rrëzua në vitin 2020.

Ndërkohë, BE-ja ka përcaktuar prej kohësh se emërtimet si “qumësht”, “gjalpë”, “kos” dhe “djathë” mund të përdoren vetëm për produkte të nxjerra nga kafshët, ndaj “qumështi i tërshërës” zakonisht tregtohet si “pije tërshëre”.

Në Francë, debati është veçanërisht i ndezur. Vendi miratoi një ndalim të ngjashëm në vitin 2024 për të qetësuar fermerët protestues, por ai u rrëzua disa muaj më vonë nga Gjykata e Lartë e Bashkimit Evropian.

Burimi: France 24, në bashkëpunim me AFP, Reuters dhe AP