Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump të ndërmjetësojë për paqe në Ukrainë, duke ndjekur shembullin e marrëveshjes së arritur për ndalimin e luftës në Gazë. “Nëse një luftë mund të ndalet në një rajon, atëherë mund të ndalen edhe të tjerat,” tha Zelensky gjatë një bisede telefonike me Trumpin, që ai e cilësoi si “shumë pozitive dhe produktive”.
Telefonata ndodhi vetëm një ditë pasi Rusia ndërmori një tjetër sulm të madh mbi rrjetin energjetik të Ukrainës, duke lënë përkohësisht pa drita disa zona të Kievit dhe nëntë rajone të tjera. Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës me Rusinë janë ngadalësuar ndjeshëm, kryesisht për shkak të vëmendjes ndërkombëtare të përqendruar te konflikti në Lindjen e Mesme.
Trump, i cili arriti fazën e parë të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, kishte zhvilluar më herët një takim me presidentin rus Vladimir Putin, pa arritur përparim konkret në çështjen e Ukrainës. Megjithatë, Zelensky i ka kërkuar tashmë atij të përdorë ndikimin e vet për ta shtyrë Kremlinin drejt negociatave.
“Mora në telefon presidentin amerikan Donald Trump. Një bisedë shumë pozitive. E përgëzova për planin e tij të jashtëzakonshëm të armëpushimit në Lindjen e Mesme,” shkroi Zelensky në rrjete sociale. “Nëse një luftë mund të ndalet, atëherë edhe lufta ruse mund të ndalet.”
Marrëdhëniet mes dy liderëve janë përmirësuar ndjeshëm muajt e fundit, pas një periudhe tensioni. Trump është treguar më kritik ndaj Moskës dhe më mbështetës ndaj Kievit. Në shtator, ai kishte deklaruar se Ukraina duhet të “rikthejë të gjitha territoret e pushtuara me ndihmën e NATO-s dhe Europës.”
Ndërkohë, sulmet e fundit ruse kanë shkaktuar viktima të reja në Ukrainë. Të paktën pesë persona humbën jetën, përfshirë dy civilë brenda një kishe në Kostyantynivka. Njëkohësisht, Rusia akuzon Kievin për goditje në territorin e saj, ndërsa Ukraina e cilëson fushatën e Kremlinit kundër infrastrukturës energjetike si “krim lufte.”
Në mesazhin e tij të mbrëmjes, Zelensky paralajmëroi se Rusia po përfiton nga zhvendosja e vëmendjes ndërkombëtare drejt Gazës dhe kërkoi forcim të mbrojtjes ajrore dhe përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar rikuperimin e vendit.
“Pasuria ruse duhet të përdoret plotësisht për të forcuar mbrojtjen tonë dhe rindërtimin e Ukrainës,” theksoi ai.
Sipas mediave ndërkombëtare, Melania Trump ka ndërhyrë personalisht për lirimin e disa fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia, duke hapur një “kanal të pazakontë komunikimi” me Putinin – një gjest që Kievi e ka përshëndetur si shenjë të mirë për përpjekjet e reja të paqes.
Nëse Trump do të arrijë të sjellë në tryezë Putinin dhe Zelenskyn për një marrëveshje të re, mbetet për t’u parë. Por mes shpresave dhe dyshimeve, një gjë është e qartë: Ukraina po kërkon që “magjia diplomatike” e Gazës të përsëritet edhe në fushën e saj të luftës.









