Kreu Sport Cristiano Ronaldo bëhet nga milioner në miliarder

Cristiano Ronaldo bëhet nga milioner në miliarder

Kristiano Ronaldo ka hyrë në histori si futbollisti i parë që arrin statusin e miliarderit, sipas indeksit më të fundit të pasurisë të publikuar nga Bloomberg Billionaires Index, i cili e vlerëson pasurinë e yllit portugez në rreth 1.4 miliardë dollarë.

Sulmuesi 40-vjeçar, aktualisht pjesë e klubit Al-Nassr në Arabinë Saudite, ka parë pasurinë e tij të rritet ndjeshëm pas zgjatjes së kontratës me klubin në qershor, e cila vlerësohet të jetë me vlerë mbi 400 milionë dollarë.

Sipas Bloomberg, Ronaldo ka fituar më shumë se 550 milionë dollarë nga pagat që nga viti 2002 deri në 2023, ndërsa marrëveshja e tij shumëvjeçare me Nike, që i sjell afro 18 milionë dollarë në vit, dhe reklamat fitimprurëse me marka si Armani dhe Castrol, i kanë shtuar mbi 175 milionë dollarë të tjera në pasuri.

Kalimi i Ronaldos nga Manchester United te Al-Nassr në vitin 2023 e bëri atë futbollistin më të paguar në histori, me një pagë vjetore prej 177 milionë paundësh (rreth 237.5 milionë dollarë), pa përfshirë bonuset dhe pjesëmarrjen prej 15 për qind në fitimet e klubit saudit.

Ndërkohë, rivali i tij i përjetshëm, Lionel Messi, ka fituar më shumë se 600 milionë dollarë bruto gjatë karrierës së tij me Barcelona, Paris Saint-Germain dhe Inter Miami.

Me këtë arritje, Ronaldo bashkohet me një grup të rrallë sportistësh që kanë kaluar kufirin e miliardit, mes të cilëve janë Michael Jordan, Magic Johnson, LeBron James, Tiger Woods dhe Roger Federer.

Megjithatë, pavarësisht moshës dhe suksesit ekonomik, Ronaldo duket i vendosur të mos ndalet.

E them sinqerisht, kjo ishte surpriza e jetës sime,” u shpreh ai gjatë ceremonisë së Portugal Football Globes të martën.

Familja më thotë se është koha të ndalem, më pyesin pse dua të arrij 1,000 gola kur kam shënuar tashmë mbi 900. Por unë nuk e mendoj kështu. Ende kam pasion. Po jap më të mirën për klubin dhe kombëtaren. Kur të vijë koha për t’u larguar, do iki i mbushur, sepse e di që kam dhënë gjithçka. Edhe pse nuk më kanë mbetur shumë vite për të luajtur, ato që kam dua t’i shijoj plotësisht.”- u shpreh ai.

Burimi: Bloomberg, Reuters, Al Jazeera