Kreu Teknologji “Ishte surpriza më e madhe e jetës sime”: Fizikantët Clarke, Devoret dhe...

“Ishte surpriza më e madhe e jetës sime”: Fizikantët Clarke, Devoret dhe Martinis shpallen fitues të Çmimit Nobel në Fizikë

Tre shkencëtarë amerikanë – John Clarke, Michel Devoret dhe John Martinis – janë shpallur fitues të Çmimit Nobel në Fizikë 2025, për kontributet e tyre në fushën e fizikës kuantike dhe zhvillimin e kompjuterëve kuantikë. Vendimi u njoftua nga Komiteti Nobel për Fizikën në Stokholm, i kryesuar nga Eva Eriksson, e cila deklaroi se kërkimet e tyre kanë hapur rrugën për teknologjitë e reja që pritet të revolucionarizojnë shkencën dhe industrinë.

Clarke, 83 vjeç, është profesor në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, ndërsa Devoret, 72 vjeç, mban titullin e profesorit në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe është profesor emeritus në Universitetin Yale. Martinis, i lindur në vitin 1958, gjithashtu lekton në Santa Barbara.

Ishte surpriza më e madhe e jetës sime,” tha Clarke për gazetarët përmes telefonit gjatë njoftimit të çmimit. “Asnjëherë nuk më kishte shkuar ndër mend që kjo punë kërkimore do të bëhej baza për një Çmim Nobel.”

Ai shtoi se në fillim, puna e tyre ishte e fokusuar thjesht në fizikën themelore të eksperimenteve, pa e kuptuar potencialin e gjerë praktik që mund të kishte në të ardhmen. “Nuk na kishte shkuar mendja se ky zbulim do të kishte një ndikim kaq të madh,” theksoi Clarke.

Çmimi në fizikë është i dyti që ndahet në sezonin Nobel të këtij viti, pas Çmimit Nobel në Mjekësi, i cili iu dha më herët një trioje shkencëtarësh amerikano-japonezë – Mary Brunkow, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi – për kërkimet mbi sistemin imunitar të njeriut.

Vitin e kaluar, Çmimi Nobel në Fizikë 2024 shkoi për John Hopfield dhe Geoffrey Hinton për punën e tyre themelore në inteligjencën artificiale, të cilët paralajmëruan për rreziqet që teknologjia mund të sjellë për shoqërinë dhe njerëzimin.

Në ditët në vijim do të ndahen edhe Çmimet Nobel në Kimi, Letërsi, dhe Paqe, ndërsa sezoni Nobel 2025 do të mbyllet me Çmimin në Ekonomi më 14 tetor.

Fituesit e këtij viti do të marrin një medalje ari, një diplomë dhe një çek prej 1.2 milionë dollarësh amerikanë, që do të ndahet midis laureatëve në të njëjtën fushë, nëse janë më shumë se një.

Ceremonia tradicionale e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet më 10 dhjetor në Stokholm, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobel, themeluesit të çmimeve prestigjioze.

Burimi: France24, me AFP