Kreu Art Gjykata amerikane hedh poshtë padinë ndaj Nirvanës për kopertinën ikonike të “Nevermind”

Gjykata amerikane hedh poshtë padinë ndaj Nirvanës për kopertinën ikonike të “Nevermind”

Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara ka rrëzuar përfundimisht padinë e ngritur ndaj grupit legjendar Nirvana, lidhur me përdorimin e fotografisë së një foshnjeje nudo në kopertinën e albumit të tyre të famshëm të vitit 1991, “Nevermind”.

Gjykatësi Fernando Olguin vendosi se padia e ngritur nga Spencer Elden, i cili ishte foshnja e fotografuar në imazh, nuk ka bazë ligjore dhe se “asnjë juri e arsyeshme nuk do ta konsideronte fotografinë si pornografike”. “Përveç faktit që paditësi është i zhveshur në kopertinë, asgjë tjetër nuk e afron këtë imazh me përmbajtje që përfshihet në legjislacionin për pornografi të fëmijëve”, theksoi gjykatësi në vendimin e tij.

Padia, e cila ishte depozituar fillimisht në vitin 2021, pretendonte se përdorimi i fotografisë kishte përbërë “shfrytëzim seksual” dhe i kishte shkaktuar dëme të vazhdueshme psikologjike Eldenit, sot 34 vjeç. Ai ishte fotografuar si foshnjë, duke notuar drejt një kartëmonedhe 1-dollarëshe të varur në grep, në një pishinë në Kaliforni — një imazh që u kthye në një nga simbolet më të njohura të historisë së muzikës moderne.

Në padinë e tij, Elden kishte përfshirë edhe anëtarët e mbetur të grupit, Dave Grohl dhe Krist Novoselic, bashkëshorten e ndjerit Kurt Cobain, Courtney Love, si dhe fotografin Kirk Weddle. Megjithatë, Nirvana dhe përfaqësuesit e saj e kanë cilësuar që prej fillimit padinë si “të pabazë dhe të motivuar nga publiciteti”.

Avokati i grupit, Bert Deixler, deklaroi pas vendimit se “gjykata më në fund i dha fund kësaj çështjeje pa meritë, duke çliruar klientët tanë nga një njollë e padrejtë”.

Gjykatësi Olguin kishte rrëzuar fillimisht padinë në vitin 2022, por ajo ishte rikthyer për rishqyrtim pas një vendimi të Gjykatës së Apelit në vitin 2023. Vendimi i fundit, i marrë këtë javë, e mbyll përfundimisht çështjen, duke e krahasuar imazhin e albumit me një “fotografi familjare të një fëmije që lahet”.

Albumi “Nevermind”, që përfshin këngë si “Smells Like Teen Spirit” dhe “Come as You Are”, mbetet një nga më të shiturit në histori dhe simbol i epokës që ndryshoi përjetësisht fytyrën e muzikës rok.

Burimi: Reuters