Ditёn e sotme, seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit Tiranë u shndërrua në ngjarje tronditëse: gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë brenda sallës dhe ndërroi jetë rrugës për spital. Policia e Tiranës njoftoi se autori i dyshuar ishte palë në proces, i identifikuar si E. Sh., 30 vjeç, të cilin forcat e rendit e kapën menjëherë në vendngjarje, pasi nuk bёri rezistencё. Gjatë aktit, u plagosën edhe dy persona — babё dhe bir — por sipas burimeve zyrtare, ata nuk janë në rrezik për jetën.
Në deklaratën për mediat, Policia theksoi: “Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit, gjatë një seance, shtetasi E. Sh. ka qëlluar ndaj gjyqtarit A. K. dhe ndaj shtetasve R. K. dhe E. K. Si pasojë humbi jetën gjyqtari, ndërsa të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Autorët janë arrestuar, arma është sekuestruar dhe hetimet do të vazhdojnë me prioritet të lartë.”
Autori arriti të hynte në sallë me një revolver, që e përdori brenda pak çastesh për të kryer sulmin.
Ngjarja ngre shqetёsime serioze për sigurinë brenda gjykatave, por dhe për atë që ndodh kur sistemi shpërfill zërat e pakënaqësisë. Pas krimit, autoritetet arrestuan oficerin e sigurisë të vendosur në hyrje të godinës, me akuzën për “shpërdorim detyre”, teksa vijon hetimi për të kuptuar si u shmang kontrolli dhe si u fut arma në sallë
Hetimet tani duhet të zbulojnë motivet, çdo lidhje me procesin që po shqyrtohej dhe kalvarin që autori mund të ketë kaluar pёrballё sistemit tё drejtёsisё. Vetëm pas kësaj mund të shihet nëse ky akt ishte vetëm shenjë e një problematike individuale, apo simptomë e një sëmundjeje më të thellë institucionale.









