Kroacia ka bllokuar në kufi një tjetër ngarkesë me produkte ushqimore nga Shqipëria — kësaj here krem fistikësh — pasi analizat laboratorike zbuluan nivele të larta të aflatoksinës, një substancë toksike që mund të jetë kancerogjene.
Ngarkesa është konfiskuar dhe asgjësuar sipas protokolleve të sigurisë ushqimore. Ky rast është raportuar në sistemin e alarmit evropian për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, RASFF.
Sasia e këtij kremi fistikësh është ndaluar në pikën doganore kroate më 8 shtator, dhe njoftimi zyrtar për rastin u shpërnda më 3 tetor përmes RASFF-it, që paralajmëroi shtetet e tjera të BE-së për të ndërmarrë masa ndaj këtij produkti.
Kjo ngjarje vjen vetëm disa ditë pas një rasti tjetër të ndalimit të një dërgese me speca të kuq nga Shqipëria, të cilat u refuzuan në Kroaci për shkak të përdorimit të pesticideve të ndaluara. Po ashtu, ky nuk është rasti i vetëm që nxjerr në pah problemet serioze në kontrollin e cilësisë së eksporteve ushqimore shqiptare.
Në gusht Kroacia asgjësoi 5 tonë pjeshkash nga Divjaka për prani të lartë të nikelit, dhe më parë janë refuzuar produkte të tjera për prani të pesticideve jashtë normave të lejuara.
Tashmë jemi përpara një shqetësimi real mbi kontrollet dhe praktikat e prodhimit në sektorin ushqimor shqiptar. Për eksportet që hyjnë në tregun e BE-së, siguria ushqimore është kriter i domosdoshëm — dhe çdo përsëritje e skandaleve të këtij lloji mund të vërë në rrezik reputacionin e produkteve “Made in Albania”.
Por mbi të gjitha, nëse produkte që dërgohen jashtë rezultojnë me toksina e pesticide të rrezikshme, lind pyetja se çfarë cilësie kanë ato që konsumojmë çdo ditë në tregjet tona.
Nevojitet më shumë transparencë, kontrolle të rrepta dhe përgjegjësi nga autoritetet për të garantuar që ushqimet shqiptare të jenë të sigurta — fillimisht për qytetarët shqiptarë, pastaj për tregjet e huaja.









