Kreu Art Trump paralajmëron tarifë 100% për filmat e huaj: “Hollywood duhet bërë sërish...

Trump paralajmëron tarifë 100% për filmat e huaj: “Hollywood duhet bërë sërish i madh”

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur planin e tij të ri ekonomik – këtë herë duke synuar industrinë e filmit. Në një deklaratë që ka bërë menjëherë bujë në SHBA dhe në mbarë botën, ai tha se është “gati të vendosë një tarifë 100% ndaj çdo filmi të prodhuar jashtë Shteteve të Bashkuara”. Qëllimi, sipas tij, është “t’i rikthehet Amerikës” një industri që po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt vendeve të tjera si Britania, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Irlanda. “Industria jonë e filmave na është vjedhur, si t’i marrësh një fëmije karamelen,” deklaroi Trump, duke shtuar se synon “ta bëjë Hollywood-in të madh sërish”.

Megjithatë, masat nuk janë ende zyrtare – Trump nuk ka lëshuar një urdhër ekzekutiv, por vetëm e ka paralajmëruar vendimin. Ekspertët theksojnë se ideja ngre shumë paqartësi: filmat nuk janë mallra që mund të taksohen në port, prandaj nuk është e qartë se si do të zbatohej një “tarifë 100%”. Po ashtu, mbetet e paqartë se çfarë do të konsiderohet “film amerikan”: nëse një produksion përfshin aktorë të huaj apo xhirime jashtë SHBA-së, a do të tatohet edhe ai?

Sipas analizës së publikuar në emisionin Vantage në Firstpost, shqetësimi i Trump ka një bazë reale: shpenzimet e prodhimit në SHBA janë rritur ndjeshëm, ndërsa vende të tjera ofrojnë stimuj fiskalë dhe ndihma për produksionet ndërkombëtare. Vetëm gjatë vitit të kaluar, investimet filmike në SHBA ranë me 26% krahasuar me 2022, duke arritur në 14 miliardë dollarë. Shteti i Kalifornisë madje po dyfishon lehtësitë tatimore për studiot, me 750 milionë dollarë për këtë vit.

Por, sipas analistëve, tarifat nuk janë zgjidhja. Përkundrazi, ato mund të dëmtojnë industrinë globale të filmit, përfshirë Bollywood-in. India siguron 35–40% të fitimeve të saj jashtë vendit nga tregu amerikan – afro 100 milionë dollarë në vit – dhe një tarifë e tillë mund të dyfishojë çmimin e biletave për filmat indianë në SHBA.

Për momentin, tarifa mbetet një ide në letër, por duke njohur stilin e Trump, shumë besojnë se vendimi mund të vijë shpejt.


Burimi: Firstpost (Vantage with Palki Sharma), https://www.youtube.com/watch?v=-oaFvW1ozos