Universiteti i Stanfordit është shpallur si më i miri në Shtetet e Bashkuara në renditjen më të fundit të Wall Street Journal/College Pulse për vitin 2026, duke u rikthyer në krye për herë të parë që nga viti 2017.
Ky klasifikim dallon nga të tjerët sepse fokusohet jo vetëm te reputacioni dhe tradita, por mbi të gjitha tek aftësia që kanë universitetet për të përgatitur studentët për sukses financiar dhe profesional, duke matur ndikimin e tyre real në pagat dhe mundësitë e punës pas diplomimit.
Pas Stanfordit, Babson College në Massachusetts ruan vendin e dytë falë profilit të tij në biznes e sipërmarrje, ndërsa Yale, Princeton dhe Harvard qëndrojnë menjëherë pas, duke përforcuar dominimin e Ivy League në krye të listës.
Claremont McKenna College në Kaliforni ka arritur të sigurojë vendin e gjashtë, ndërsa University of California, Berkeley është universiteti publik më i lartë në renditje, duke zënë vendin e shtatë.
Columbia dhe University of Pennsylvania, dy qendra të njohura akademike në Nju Jork dhe Filadelfia, janë respektivisht të teta dhe të nënta, ndërsa top 10-shen e mbyll Davidson College në Karolinën e Veriut, një kolegj i vogël artesh që po fiton gjithnjë e më shumë vlerësim.
Edhe pse pjesa më e madhe e vendeve kryesore mbetet në duart e universiteteve private, disa institucione publike si UC Berkeley, UC Davis dhe University of Michigan – Ann Arbor kanë arritur të ngjiten në renditje të larta, duke dëshmuar rolin e tyre të rëndësishëm në arsimimin e një audience më të gjerë.
Metodologjia e re e WSJ/College Pulse merr parasysh jo vetëm pagat e ish-studentëve, por edhe normat e diplomimit, diversitetin, cilësinë e mësimdhënies dhe përvojën e përgjithshme akademike.
Në këtë mënyrë, klasifikimi i vitit 2026 jep një pamje më të balancuar të peizazhit universitar amerikan, ku përveç emrave të mëdhenj, dallohen edhe institucione më pak të njohura publikisht, por që ofrojnë rezultate të jashtëzakonshme në suksesin afatgjatë të studentëve.
Burimi: Wall Street Journal









