Festa e famshme e birrës Oktoberfest në Mynih nuk do të vijojë të mërkurën deri në orën 17:00, pasi policia gjermane zbuloi lëndë plasëse në një ndërtesë banimi në veri të qytetit, e cila u përfshi nga zjarri dhe ku një person humbi jetën.
Operacioni i madh policor përfshiu forcat speciale, pasi nga ndërtesa ishin raportuar të shtëna dhe shpërthime. Sipas hetimeve paraprake, zjarri dyshohet se ishte vënë qëllimisht si pjesë e një konflikti familjar. Një trup i pajetë u gjet në vendngjarje, ndërsa një person tjetër rezulton i zhdukur, por nuk mendohet të jetë në rrezik.
Policia tha se brenda ndërtesës ishin vendosur edhe kurthe shpërthyese, të cilat u çaktivizuan nga specialistët. Aktualisht po hetohen të gjitha pistat, përfshirë edhe ndonjë lidhje të mundshme me vende të tjera në Mynih, siç është edhe Theresienwiese, ku zhvillohet Oktoberfest. Për këtë arsye, hapja e sheshit të festivalit është shtyrë.
Oktoberfest, i njohur si festivali më i madh popullor në botë, nisi më 20 shtator dhe është planifikuar të mbyllet më 5 tetor. Organizatorët njoftuan në faqen zyrtare se mbyllja e përkohshme lidhet me incidentin e ndodhur në veri të Mynihut.
Burimi: Reuters









