Kreu Rreth Globit Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë gjendet i vdekur në Paris:...

Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë gjendet i vdekur në Paris: mister apo tragjedi diplomatike?

Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë, Nkosinathi Emmanuel “Nathi” Mthethwa, 58 vjeç, u gjet i vdekur të martën poshtё hotelit Hyatt Regency në Paris, pak orë pasi ishte raportuar i zhdukur. Sipas prokurorisë së kryeqytetit francez, diplomati kishte rezervuar një dhomë në katin e 22-të, ndërsa dritarja e dhomёs ёshtё gjetur e hapur me forcё, pavarёsisht elementёve tё sigurisё.  

Gruaja e Mthethwas kishte lajmëruar policinë të hënën, pasi kishte marrë prej tij një mesazh shqetësues. Hetuesit zbuluan trupin pranë hotelit, ndërsa në vendngjarje mbërriti menjëherë magjistrati i shërbimit. Hetimet janë hapur për të sqaruar rrethanat, pasi ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për vetëvrasje apo për elementë të tjerë që lidhen me ngjarjen.

Mthethwa mori detyrën e ambasadorit në Francë në dhjetor 2023, duke përfaqësuar gjithashtu Afrikën e Jugut pranë UNESCO-s. Ai kishte një karrierë të gjatë në politikë dhe qeveri, duke shërbyer më parë si Ministër i Policisë dhe Ministër i Kulturës dhe Sportit.

Qeveria e Afrikës së Jugut konfirmoi lajmin me “pikëllim dhe keqardhje të thellë”. Ministri i Jashtëm Ronald Lamola e quajti vdekjen e tij “një humbje jo vetëm kombëtare, por edhe për komunitetin ndërkombëtar diplomatik”.

Por ndërsa ngushëllimet zyrtare vazhdojnë, pyetjet mbeten pa përgjigje. A ishte kjo një tragjedi personale, një akt i paramenduar, apo ka prapaskena më të thella? Hetimet e autoriteteve franceze do të duhet të japin një përgjigje, ndërsa vdekja e papritur e një ambasadori me profil të lartë si Mthethwa ngre pikëpyetje mbi rreziqet dhe presionet që mbart diplomacia në skenën ndërkombëtare.