Mesditën e sotme Kryeministri Edi Rama ka dërguar në Presidencë 6 vakancat për bashkitë që ndodhen pa kryebashkiak, pa “harruar” edhe Tiranën.
Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë “verdiktin” e saj pasi Erion Veliaj e ankimoi dje shkarkimin e tij, përsëri Edi Rama e dërgon “Tiranën” në zgjedhje. Apo më saktë: ia hedh topin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë Presidentit të Republikës.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar pezullimin e “shkarkimit” të Veliajt dhe “zgjedhjeve” për Bashkinë Tiranë me argumentimin se “në përputhje me nenin 115 të Kushtetutës, në rast ankimi, vendimmarrja pezullohet automatikisht”.
Ajo shton në një prononcim mediatik se “Gjykata Kushtetuese vijon të monitorojë procesin dhe do të japë vendimin përfundimtar në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagimin e shkurtër të Gjykatës Kushtetuese.
Bashkia e Tiranës, në këtë mënyrë, futet në një labirinth procedural, ku kryeministri Rama kërkon zgjedhje, ish-kryetari i Bashkisë Tiranë, Veliaj, kërkon të drejtën për të qenë ende kryetar, Gjykata Kushtetuese thotë “procesi i shkarkimit është pezulluar” dhe Presidenti Bajram Begaj sheh këto lëvizje të forta pushteti me fjalën e fundit që i takon atij ta thotë.
Ende nuk ka asnjë informacion se si do të veprojë Presidenca në këtë rast, kur kërkohet të shpallet një datë zgjedhjesh në një moment kur Kushtetuta nuk e lejon dhe Kushtetuesja ende nuk ka dhënë vendimin për ankimimin e ish-kryebashkiakut tashmë të shkarkuar.
Loja për Bashkinë e Tiranës vazhdon. Lojtarët e të gjitha krahëve janë hedhur në fushë.









