Në një kthesë të papritur të qasjes ndaj parave fizike, Banka Qendrore Evropiane (ECB) ka publikuar një studim të ri që nxit debat në mbarë kontinentin.
Ndryshe nga ideja e konsoliduar prej vitesh se e ardhmja është vetëm digjitale, studimi i titulluar “Keep calm and carry cash” sugjeron që qytetarët e eurozonës të mbajnë gjithmonë në shtëpi një shumë të vogël parash për raste emergjence – rreth 70 deri në 100 euro për person.
Ekspertët e ECB-së arsyetojnë se situatat e krizës – si pandemia e COVID-19, pushtimi rus i Ukrainës, krizat energjetike apo edhe tensionet financiare në disa shtete– treguan se kërkesa për cash rritet menjëherë sapo ndodhin ngjarje që trondisin besimin te sistemi digjital. Paraja fizike, sipas tyre, mbetet më elastike dhe më e besueshme në momente të tilla, sepse mund të përdoret edhe kur rrjetet elektronike dështojnë.
Raporti thekson se disa shtete, si Holanda, Austria dhe Finlanda, tashmë u rekomandojnë qytetarëve të kenë rezerva cash për të përballuar shpenzimet bazë për të paktën 72 orë në rast emergjencash.
Sipas “Financial Times”, ky sugjerim nuk është një urdhër i detyrueshëm, por një orientim praktik që synon të forcojë qëndrueshmërinë financiare të familjeve evropiane.
Megjithëse pagesat elektronike po dominojnë gjithnjë e më shumë tregun, ky apel i ECB-së tregon se paratë fizike ende nuk janë të zëvendësueshme plotësisht. Në kohë të pasigurta, të kesh një shumë të vogël në dorë mbetet një garanci sigurie që teknologjia ende nuk mund ta garantojë.
Çfarë nënkupton kjo për Shqipërinë?
Në një vend si Shqipëria, ku përdorimi i parasë fizike vazhdon të jetë i lartë krahasuar me standardet e Bashkimit Evropian, ky rekomandim i ECB-së merr një nuancë të veçantë.
Nga njëra anë, qytetarët shqiptarë tashmë mbështeten gjerësisht te cash-i për transaksionet e përditshme, duke pasur më pak varësi nga sistemet digjitale.
Nga ana tjetër, ky paralajmërim i bankës më të madhe në Evropë tregon se edhe në ekonomitë më të zhvilluara po rivlerësohet roli i parasë fizike si një “masë sigurie” përballë krizave të paparashikueshme.
Ndaj dhe pavarësisht shtytjes drejt formalizimit dhe pagesave digjitale, paratë cash nuk do të zhduken shpejt dhe do të mbeten një instrument i pazëvendësueshëm në momente pasigurie.
Burimi: Financial Times