Pas muajsh debatesh politike dhe zhvillimesh gjyqësore, shkarkimi i Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë është zyrtarizuar plotësisht. Procesi ka kaluar me një shpejtësi të rrallë institucionale, duke ndjekur hap pas hapi procedurat.
Më 23 shtator 2025, Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi me shumicë për propozimin e shkarkimit të Veliajt, bazuar në nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, që parashikon ndërprerjen e mandatit për shkak të mungesës së gjatë në detyrë.
Dy ditë më vonë, më 25 shtator, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, miratoi vendimin përfundimtar për shkarkimin.
Vetëm një ditë pas këtij akti, më 26 shtator, vendimi u botua në Fletoren Zyrtare, duke i dhënë formë ligjore dhe fuqi detyruese.
Ky ritëm i sinkronizuar – nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, te miratimi i qeverisë dhe deri te publikimi zyrtar – pasqyron saktë procesin e organizuar dhe të koordinuar politikisht, për të mbyllur pa vonesa një kapitull të diskutueshëm në drejtimin e kryeqytetit.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, këtë herë është firmosur nga vetë Kryeministri Edi Rama.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Erion Veliaj do t’i çojë deri në fund paralajmërimet për betejë ligjore, apo nëse gjithë retorika e tij nuk ishte gjë tjetër veçse një lëvizje taktike për të ushtruar presion dhe për të fituar terren politik përpara se Këshilli Bashkiak të hidhte votën e urdhëruar kundër tij.
