Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Afganistanit, duke thënë se “gjëra të këqija” do të ndodhin nëse ky vend nuk i kthen Uashingtonit kontrollin mbi bazën ajrore strategjike të Bagramit. Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump u shpreh: “Nëse Afganistani nuk e kthen bazën ajrore të Bagramit tek ata që e ndërtuan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, GJËRA TË KËQIJA DO TË NDODHIN.”
Deklarata erdhi ndërsa presidenti amerikan po përpiqet të ringjallë bisedimet me autoritetet afgane mbi këtë çështje. Trump tha për gazetarët se Shtetet e Bashkuara e kanë kërkuar prej kohësh rikthimin e bazës që u përdor nga forcat amerikane pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Ai nuk e përjashtoi as mundësinë e dërgimit të trupave për ta rimarrë me forcë Bagramin, por nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë: “Nuk do të flasim për këtë. Jemi duke biseduar tani me Afganistanin dhe e duam mbrapsht, menjëherë. Nëse nuk e bëjnë – do ta shihni vetë çfarë do të ndodhë,” tha ai në Shtëpinë e Bardhë.
Baza e Bagramit, dikur zemra e pranisë ushtarake amerikane gjatë dy dekadave të luftës në Afganistan, u braktis nga ushtria amerikane në korrik 2021, si pjesë e tërheqjes së plotë të trupave që i hapi rrugë rikthimit të talebanëve në pushtet. Kompleksi i gjerë, që kishte jo vetëm infrastrukturë ushtarake por edhe shërbime si restorante të shpejta dhe një burg gjigand, ra nën kontrollin e forcave vendase.
Zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë paralajmërojnë se një rikthim i mundshëm në Bagram do të ngjante me një ri-pushtim të Afganistanit, që do të kërkonte mbi 10 mijë trupa si dhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore. Edhe nëse talebanët do të pranonin një marrëveshje për rikthimin e bazës, ajo do të mbetej e ekspozuar ndaj kërcënimeve të shumta nga grupet militante si Shteti Islamik dhe Al Kaeda brenda Afganistanit, ndërsa do të ishte gjithashtu e rrezikuar nga sulme të mundshme me raketa të avancuara nga Irani.
Afganistani deri tani ka shprehur kundërshtim ndaj rikthimit të pranisë amerikane, ndërsa deklaratat e Trump rrisin tensionet rreth një prej pikave më të ndjeshme të trashëgimisë së luftës 20-vjeçare në këtë vend.
Burimi: Reuters