Kreu Rreth Globit Teslas i lejohen shoferët inteligjentë: Në rrugët e Arizonës do dalin robotaksitë...

Teslas i lejohen shoferët inteligjentë: Në rrugët e Arizonës do dalin robotaksitë e para

Tesla ka fituar miratimin për të nisur testimet e para të robotaksive të saj autonome në shtetin e Arizonës, një hap që shënon përparim të madh në ambicien e kompanisë për të hyrë fuqishëm në tregun e transportit pa shofer. Departamenti i Transporteve i Arizonës ka konfirmuar se Tesla është licencuar të operojë në zonën metropolitane të Phoenix-it, fillimisht me automjete që do të kenë shoferë sigurie në bord, të cilët do të ndërhyjnë vetëm në raste emergjente.

Leja u dha disa muaj pasi kompania dorëzoi aplikimin për testime në qershor. Ky është një sinjal i fortë mbështetjeje nga autoritetet e transportit në një kohë kur Arizona është shndërruar në një laborator të hapur për makinat autonome. Phoenix, ku tashmë operojnë edhe gjigantë të tjerë si Waymo dhe Cruise, shihet si terreni më i favorshëm në SHBA për të testuar teknologjinë e ardhshme të transportit.

Elon Musk, drejtuesi i Tesla-s, e ka quajtur robotaksin një gur themeli për të ardhmen e kompanisë dhe ka paralajmëruar se shërbimi i ri i transportit autonom do të arrijë te gjysma e popullsisë amerikane deri në fund të vitit. Sipas tij, flota e Tesla-s do të revolucionarizojë mënyrën se si njerëzit lëvizin në qytete, duke ulur kostot dhe duke rritur sigurinë.

Ekspertët e industrisë, megjithatë, paralajmërojnë se përveç sfidave teknike, Tesla do të përballet edhe me pengesa ligjore dhe rregullatore, pasi transporti autonom mbetet një fushë shumë e ndjeshme në aspektin e sigurisë. Për momentin, testet do të zhvillohen vetëm me mbikëqyrje njerëzore, por nëse faza e parë rezulton e suksesshme, kompania pritet të kërkojë leje për të kaluar në funksionim pa shoferë sigurie.

Ky zhvillim e pozicionon Tesla-n përballë rivalëve kryesorë në garën e globalizimit të transportit autonom. Nëse projekti në Arizona ecën sipas planit, rrugët amerikane mund të shohin për herë të parë robotaksitë me logon Tesla shumë më shpejt nga sa pritej.