Pavarësisht krizës ekonomike dhe tensioneve të vazhdueshme me Perëndimin, iPhone 17 u prezantua këtë fundjavë në dyqanet e Moskës, ku entuziazmi i konsumatorëve rusë ka rezultuar në një rritje të ndjeshme të porosive paraprake. Sipas kompanisë së shitjes me pakicë Restore, prenotimet e këtij viti janë 66% më të larta krahasuar me vitin e kaluar, duke treguar se pasioni për produktet e Apple mbetet i palëkundur edhe në kushtet e një ekonomie të ngadalësuar dhe të izoluar.
Popullariteti i iPhone në Rusi ka mbijetuar edhe pas ndalimit të shitjeve zyrtare nga Apple në vitin 2022 dhe pezullimit të shërbimeve si Apple Pay, si pasojë e sanksioneve perëndimore pas pushtimit të Ukrainës. Megjithatë, telefonat e kompanisë amerikane vazhdojnë të shiten me çmime shumë më të larta sesa në Perëndim. Modeli bazë i iPhone 17 me 256 GB kushton 119,990 rubla (rreth 1,437 dollarë), që është 57% më shumë sesa në SHBA dhe gati 30% më shumë sesa në Britani.
“Ekziston një bazë gjigante fansash që nuk do ta ndërrojnë kurrë iPhone me asgjë tjetër,” tha Lyudmila Semushina, drejtoreshë e PR për Inventive Retail Group, pronare e rrjetit Restore, gjatë prezantimit në qendrën tregtare Afimall City në Moskë. Ajo shtoi se furnizimet e para gjithmonë janë të kufizuara, por zinxhiri i shpërndarjes mbetet “mjaft i qëndrueshëm,” megjithëse kostot e larta të importeve paralele kanë ndikuar në çmimet finale.
Seria e re iPhone 17, e prezantuar globalisht këtë javë, sjell një dizajn të ri, kamera të përmirësuara dhe modelin e ri “Air”, i cili pritet të tërheqë shumë përdorues. “Ky është një përditësim madhor. Po mendoj ta ndërroj telefonin tim aktual me iPhone Air,” tha konsumatori Oleg Kochetkov, duke shtuar se gjithnjë e më shumë rusë po përdorin FaceTime pas kufizimeve qeveritare mbi thirrjet në WhatsApp dhe Telegram.
Blogeri i teknologjisë Sergei Yepikhin i tha Reuters se kamerat janë arsyeja kryesore për kalimin e tij nga Android tek iPhone Pro, megjithëse pranoi se pajisjet Android janë më të lehta për t’u përdorur në Rusi dhe shpreson që kompanitë vendase të zhvillojnë zgjidhje për t’i bërë më funksionalë telefonat e Apple.
Në mungesë të Apple Pay, bankat kryesore ruse si Sber dhe T-Bank kanë prezantuar shërbime të pagesave pa kontakt për të zëvendësuar shërbimin amerikan. Sipas të dhënave të vitit 2024, Apple ishte marka numër një në Rusi për sa i përket të ardhurave nga shitjet e telefonave, megjithëse Xiaomi mbajti kryesimin për nga numri i njësive të shitura.
Burimi: Reuters