Kreu Drejtësi USA: Jep dorëheqjen prokurori që do hetonte armiken e Trump, Letitia James

USA: Jep dorëheqjen prokurori që do hetonte armiken e Trump, Letitia James

Prokurori i lartë federal që mbikëqyrte hetimin penal për mashtrim hipotekor ndaj Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, ka dhënë dorëheqjen të premten, vetëm pak orë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi publikisht se “nuk kishte më besim tek ai” dhe kërkoi largimin e tij.

Erik Siebert, Prokuror i Përkohshëm i Shteteve të Bashkuara për Distriktin Lindor të Virxhinias, njoftoi stafin e tij për vendimin në një email të brendshëm, ku falënderoi punonjësit e Departamentit të Drejtësisë për angazhimin dhe sakrificat e tyre. “Sonte dorëzova dorëheqjen time si Prokuror i Përkohshëm për EDVA. Ka qenë privilegj i madh të udhëheq për tetë muaj ekipin më të jashtëzakonshëm të punonjësve të DOJ, të cilët kujdesen thellësisht për kombin tonë dhe komunitetin tonë,” shkroi ai.

Dorëheqja vjen pasi Trump, nga Shtëpia e Bardhë, u tha gazetarëve: “E dua jashtë.” Dy burime thanë për Reuters se Siebert kishte shprehur më herët dyshime për forcën e provave në rastin kundër Letitia James dhe se zyrtarë të administratës i kishin sugjeruar se mund të shkarkohej nga posti edhe para deklaratës publike të presidentit.

Trump u shpreh se ishte zhgënjyer pasi mësoi se dy senatorët demokratë të Virxhinias mbështesnin emërimin e Siebert. Ai ishte caktuar prokuror i përkohshëm në janar dhe më pas konfirmuar nga gjykata federale, ndërsa Trump kishte propozuar që Senati me shumicë republikane ta miratonte edhe për një mandat të plotë.

Përveç çështjes ndaj James, zyra e Siebert merrej edhe me një hetim penal për ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, lidhur me hetimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Burime brenda hetimit thanë se prokurori kishte vlerësuar se provat në të dyja rastet ishin të dobëta dhe do ta bënin shumë të vështirë ngritjen e akuzave.

Letitia James, e cila vitin e kaluar fitoi një proces civil ndaj Trump për mashtrim financiar dhe e detyroi atë të paguante një gjobë prej 354.9 milionë dollarësh (por që më pas u rrëzua nga gjykata e apelit), e ka akuzuar presidentin se po përdor pushtetin për hakmarrje politike. James është ndër tre zyrtarët publikë që përballen me hetime për mashtrim hipotekor, krahas senatorit Adam Schiff dhe guvernatores së Rezervës Federale, Lisa Cook – të gjithë kanë mohuar çdo shkelje.

Dorëheqja e Siebert shihet si pjesë e një fushate më të gjerë të Trump për të pastruar Departamentin e Drejtësisë nga zyrtarë që ai i konsideron “të pabesueshëm” dhe për ta përdorur atë si mjet kundër rivalëve të tij politikë.

Burimi: Reuters