Kreu Rreth Globit Sulmi kibernetik trondit aeroportet kryesore të Evropës: mijëra pasagjerë të bllokuar, fluturime...

Sulmi kibernetik trondit aeroportet kryesore të Evropës: mijëra pasagjerë të bllokuar, fluturime të anuluara

Një sulm i gjerë kibernetik ka paralizuar sistemet e regjistrimit dhe menaxhimit të bagazheve në disa nga aeroportet më të mëdha të Evropës, duke shkaktuar kaos për dhjetëra mijëra pasagjerë.

Incidenti ndodhi mbrëmjen e 19 shtatorit dhe ka prekur kryesisht softuerin MUSE të kompanisë Collins Aerospace, i cili përdoret në mënyrë të standardizuar nga shumë aeroporte europiane për check-in dhe boarding. Si pasojë, aeroportet u detyruan të kalojnë në procedura manuale, duke shkaktuar vonesa të gjata dhe anulime masive fluturimesh.

Ndër aeroportet më të goditura janë Heathrow në Londër, Brussels Airport dhe Berlin-Brandenburg, ku radhët u zgjatën me orë të tëra dhe pasagjerët raportuan mungesë informacioni dhe konfuzion të plotë. Në Dublin dhe Cork ndikimi ishte më i kufizuar, por gjithsesi pasagjerët u përballën me vonesa të konsiderueshme. Në Heathrow, një nga nyjet ajrore më të rëndësishme në botë, sistemi elektronik i check-in dhe ai për menaxhimin e bagazheve u shkatërruan, duke detyruar qindra punonjës të përdorin fletë letre dhe lista të shkruara me dorë.

Kompania Collins Aerospace, që është pjesë e gjigandit RTX, ka konfirmuar ndërprerjen e sistemeve dhe e ka cilësuar incidentin si një “shkëputje kibernetike”. Aktualisht, inxhinierët e saj po punojnë për të rikthyer funksionalitetin, ndërsa autoritetet kombëtare të sigurisë kibernetike në disa shtete kanë nisur hetimet për të zbuluar autorët dhe mënyrën e ekzekutimit të këtij sulmi.

Ndërkohë, pasagjerët kanë shprehur indinjatën e tyre përmes rrjeteve sociale, duke e cilësuar përvojën si “të tmerrshme” dhe “kaotike”, me qindra persona të bllokuar në terminale pa informacion të qartë për fluturimet e tyre. Operatorët ajrorë pranuan se procedurat manuale jo vetëm që janë të ngadalta, por edhe rrisin rrezikun e gabimeve në përpunimin e të dhënave dhe të bagazheve.

Ky incident i ka rikthyer në qendër të debatit rreziqet që lidhen me varësinë e infrastrukturave kritike nga sisteme të centralizuara dixhitale. Ekspertët theksojnë se një sulm i vetëm mbi një platformë të përbashkët, si MUSE, mjafton për të destabilizuar të gjithë sektorin e transportit ajror në shkallë ndërkombëtare.

Ngjarja shihet si një thirrje alarmi për institucionet europiane dhe kompanitë ajrore që të investojnë më shumë në sigurinë kibernetike dhe në skenarë rezervë për raste emergjente.