Kreu Teknologji Suedia vendos ndalim kombëtar të telefonave celularë në shkolla

Suedia vendos ndalim kombëtar të telefonave celularë në shkolla

Që nga vjeshta e vitit 2026, të gjitha shkollat dhe grupet pas shkollore në Suedi do të jenë të detyruara të mbledhin telefonat e nxënësve në mëngjes dhe t’i mbajnë deri në fund të ditës. Masa vlen për fëmijët nga 7 deri në 16 vjeç dhe synon përmirësimin e sigurisë dhe kushteve të të nxënit.

Reforma, e shpallur nga ministrja e Arsimit dhe Integrimit, Simona Mohamsson, përfshin gjithashtu ndryshime në kurrikulë, sistemin e notave dhe trajnimin e mësuesve. “Ky është investimi më i madh në shkolla në mbi 30 vite,” tha ajo. Qeveria ka parashikuar 95 milionë krona për vitin 2026 dhe 100 milionë krona për 2027 për zbatimin e ndalimit të telefonave.

Shumica e shkollave tashmë praktikojnë mbledhjen e telefonave, por nxënësit shpesh gjejnë mënyra për t’i shmangur, duke dorëzuar telefona të rremë ose duke thënë se i kanë harruar. Ligji i ri do të jetë i detyrueshëm dhe pa përjashtime.

Suedia nuk është e vetme në këtë masë. Danimarka njoftoi më herët këtë vit një ndalim të ngjashëm të telefonave në shkolla. Franca ka zbatuar që nga viti 2018 një ndalim të telefonave celularë për nxënësit deri në moshën 15 vjeç. Holanda ka filluar kufizime të rrepta që nga janari 2024, ku telefonat lejohet të përdoren vetëm për arsye mësimore të justifikuara.

Masa të ngjashme janë duke u diskutuar edhe në vende të tjera evropiane, si pjesë e një debati më të gjerë mbi ndikimin e telefonave inteligjentë në të nxënë dhe shëndetin mendor të të rinjve.

Burimi: The Guardian