Reagimi i fundit i kryeministrit Edi Rama ndaj vendimit të gjyqtarit Boshku është një shembull i gjuhës së ashpër dhe denigruese që kreu i qeverisë vijon të përdorë ndaj sistemit gjyqësor.
Në vend që të kufizohej te argumenti ligjor dhe institucional, Rama zgjedh një diskurs të mbushur me epitete, etiketime dhe metafora që më shumë shërbejnë për të ndezur opinionin publik sesa për të forcuar respektin ndaj drejtësisë.
Edhe pse vendimi i përmendur mund të ngrejë pikëpyetje dhe të ketë nevojë për transparencë, mënyra se si kryeministri e trajton çështjen e vendos gjyqësorin nën një lloj “gjyqi publik”, ku një gjykatës i veçantë shënjestrohet personalisht dhe dënohet përpara publikut. Kjo lloj retorike, më shumë se sa forcon llogaridhënien, e cenon perceptimin e pavarësisë së drejtësisë dhe e kthen debatin në një përballje politike të njëanshme.
Në thelb, mesazhi i Ramës është i qartë: ai kërkon që gjykatësit të mbajnë përgjegjësi jo vetëm para ligjit, por edhe para opinionit publik. Mirëpo, kur kjo kërkesë përcillet përmes gjuhës përçmuese dhe tallëse, rreziku është që të minohet besimi tek institucionet dhe të prodhohet frikë në vend të profesionalizmit.
Prandaj, pavarësisht se kryeministri mund të ketë të drejtë në theksimin e rasteve problematike, mënyra se si ai e artikulon shqetësimin e vet krijon një precedent të rrezikshëm: ku ekzekutivi shfaqet si arbitër moral i vendimeve gjyqësore, duke e zëvendësuar analizën e ftohtë juridike me gjuhën e polemikës politike.
Më poshtë postimi i plotë i Ramës:
🔴 Një tjetër sport tradicional i gjykatësve pa flamur e pa atdhe të Drejtësisë së Vjetër, fatkeqësisht vazhdon të ushtrohet edhe nga gjykatës më të rinj, të cilët duhet të mbajnë lart flamurin e Drejtësisë së Re me pavarësinë, profesionalizmin e integritetin e tyre.
Pa asnjë gajle fare, gjykatësi Boshku, ka vendosur të kthejë fishek në detyrë një shkelës brutal të ligjit dhe mashtrues të kapur me presh në duar, e për pasojë edhe të larguar nga detyra e të çuar në prokurori!
Rasti është i ububushëm!
Si drejtues rajonal i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore – pra i trupës që ligji ngarkon për të kontrolluar veprimet dhe garantuar integritetin e Policisë së Shtetit – një birbo pa din e pa iman, jo vetëm kishte marrë pjesë në një ndërtim pa leje në Ksamil (i denoncuar nga njerëzit e zonës), po edhe kishte mashtruar me shkrim, duke pretenduar legalizimin e ndërtimit, me gënjeshtrën se ndërtimi ishte bërë në 2018-ën.
Por fotot satelitore nxorrën bishtin e gjatë të gënjeshtrës, duke provuar se ndërtimi është bërë shumë kohë pas vitit 2020; vit që sipas ligjit është edhe viti i fundit për marrjen në shqyrtim të kërkesave për legalizim.
Pra birboja kishte ndërtuar pa leje duke qenë edhe drejtor i një institucioni ligjzbatues, gjë që çoi në largimin e tij nga AMP-ja dhe dorëzimin e rastit të tij në Prokurorinë e Sarandës.
Mirëpo, ka ligj ka edhe Maliq i thonë kësaj, sepse ndërkohë që shteti, përmes Policisë kërkon nga drejtësia në Sarandë ndëshkimin ligjor të birbos, drejtësia në Tiranë, përmes gjykatësit Boshku, kërkon nga shteti të rimarrë birbon në krahët e vet. Madje ta përqafojë dhe ta ulë përsëri në karrigen e drejtorit!
Çfarë të thuash!!!
Ministria e Drejtësisë, do t’ia përcjellë keqbërjen e gjykatësit Boshku organeve të vetëqeverisjes së gjyqësorit (KLGJ – ILD), ndërsa me birbon uroj të merret seriozisht drejtësia.
Por me këtë rast, dua t’u përcjell një mesazh të qartë edhe gjykatësve si ky Boshku, që pa parë fare dosjet, pa thirrur fare, hiç, shtetin si palë e dëmtuar, urdhërojnë kthimin në punë të të larguarve nga detyra për paudhësira, si puna ulëritëse e këtij ujkut me mëlçi në qafë të AMP-së së Vlorës; madje vendosin pa pikë turpi si detyrime të shtetit, kaq e aq paga dëmshpërblim për tipa të tillë.
Mesazhi im është ky:
Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke e përdorur pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia, e duke dhënë vendime haptazi të paligjshme në dëm të interesit publik, do të përballet me keqbërjen e vet jo vetëm në organet e lartpërmendura të vetëqeverisjes së gjyqësorit, po edhe në sytë e opinionit publik.
