Kreu Rreth Globit Londra në protestë: “Të bashkojmë Mbretërinë- t’i dëbojmë emigrantët!”

Londra në protestë: “Të bashkojmë Mbretërinë- t’i dëbojmë emigrantët!”

Më shumë se 110 mijë persona marshuan në Londër në një protestë të organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë, Tommy Robinson, duke kërkuar kufizime të ashpra ndaj emigrantëve. Marshimi, i titulluar “Të bashkojmë Mbretërinë” (“Unite the Kingdom”), u cilësua si një nga manifestimet më të mëdha të kësaj natyre në Mbretërinë e Bashkuar vitet e fundit.

Turmat u mblodhën në Whitehall, në zemër të kryeqytetit britanik, ku policia u përball me akte dhune. Raportohet se 26 efektivë policie u plagosën, mes tyre katër rëndë, pasi protestuesit tentuan të thyenin kordonët për t’u përballur me kundër-protestuesit që mbanin pankarta me mesazhe si “Refugjatët janë të mirëpritur” dhe “Shkatërroni ekstremizmin e djathtë”.

Tommy Robinson, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon, e prezantoi marshimin si një akt patriotik në mbrojtje të kulturës dhe trashëgimisë britanike, duke pretenduar se emigrantët po gëzojnë më shumë të drejta sesa qytetarët vendas. Ai foli për një “ndryshim masiv demografik” që, sipas tij, rrezikon identitetin kombëtar.

Në aktivitet morën pjesë edhe figura të tjera ndërkombëtare. Elon Musk, përmes një lidhjeje video, foli mbi nevojën e “sigurisë së kufijve” dhe mbrojtjes së identitetit kombëtar, ndërsa politikani francez i ekstremit të djathtë Eric Zemmour përmendi sërish teorinë e diskutueshme të “Zëvendësimit të Madh” (Great Replacement), sipas së cilës popujt evropianë po “zëvendësohen” nga komunitete të ardhura.

Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, dënoi dhunën ndaj policisë dhe theksoi se ligji do të zbatohet me rigorozitet. Policia Metropolitane sqaroi se respekton të drejtën për protestë, por nuk do të tolerojë sulmet apo nxitjen e përçarjeve.

Ky marshim ndodh në një kohë të ndjeshme politike në Britani, ku partitë nacionaliste anti-emigracion si Reform UK po fitojnë terren dhe ku debati publik rreth emigracionit është kthyer në një nga çështjet më polarizuese të vendit.

Për shumë analistë, ky është një sinjal alarmi për rritjen e nacionalizmit radikal dhe tensioneve racore në një shoqëri gjithnjë e më shumë të fragmentuar.

Burimi: Al Jazeera