Kreu Rreth Globit Kim Jong Un i shpall “luftë” fjalorit perëndimor: ndalohet “hamburgeri”, “karaoke”, “akullorja”

Kim Jong Un i shpall “luftë” fjalorit perëndimor: ndalohet “hamburgeri”, “karaoke”, “akullorja”

Kim Jong Un ka urdhëruar ndalimin e përdorimit të disa fjalëve perëndimore, duke i cilësuar tepër të huaja për kulturën e Koresë së Veriut.

Sipas raportimeve, udhëheqësi i Koresë së Veriut ka nxjerrë një listë fjalësh të ndaluara, ku përfshihen “hamburger”, “karaoke” dhe “ice cream” (akullore). Ai i konsideron këto terma si ndikime perëndimore dhe sidomos si huazime nga Koreja e Jugut.

Në resortin turistik të Wonsan-it, guidat që presin turistë rusë dhe kinezë janë urdhëruar të shmangin fjalë të anglizuara dhe të përdorin vetëm terminologji koreano-veriore. Për këtë arsye, rreth 20 deri në 30 guida turistike janë futur në një program të rreptë trajnimi, të organizuar nga Partia e Punëtorëve të Koresë në provincën Kangwon.

Mediat rajonale si Daily NK raportojnë se të trajnuarit marrin udhëzime të hollësishme për mënyrën e komunikimit me turistët, duke memorizuar slogane dhe fraza të miratuara nga shteti. Qëllimi është që profesionistët e turizmit të përdorin vetëm fjalor të kontrolluar nga regjimi, duke shmangur çdo ndikim nga Koreja e Jugut apo nga huazimet ndërkombëtare.

Pas përfundimit të kursit, pjesëmarrësit duhet t’i nënshtrohen një provimi, dhe vetëm ata që kalojnë testin do të lejohen të vazhdojnë punën.

Burimi: The Sun