Kreu Newsbuf Begaj thërret Kuvendin – nis Legjislatura XI

Begaj thërret Kuvendin – nis Legjislatura XI

Sipas dekretit nr. 310 të Presidentit të Republikës Bajram Begaj, më 12 shtator 2025, në orën 10:00 u zhvillua mbledhja e parë e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Shqipërisë. Seanca konstituive nisi me betimin e deputetëve të rinj dhe ngritjen e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve.

Përkohësisht drejtimin e seancës e mori deputeti më i moshuar që pranoi këtë rol, Vasil Llajo, ndërsa atmosfera u shënua që në fillim nga tensione politike mes mazhorancës dhe opozitës.

Teksa kryesuesi Llajo lexonte emrat e deputetëve, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha mori fjalën për procedurë dhe akuzoi mazhorancën se në Kuvend ka futur njerëz të lidhur me krimin e organizuar. Berisha përmendi emrat e Behar Bajrit dhe Pëllumb Gjokës, duke thënë se socialistët kanë “zëvendësuar deputetët e vërtetë të partisë së krimit me prestanome”.

Fjalimi i tij u ndërpre me kërkesë të kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla, çka shkaktoi përplasje në sallë. Deputetët e PD-së, mes tyre Flamur Noka dhe Gazment Bardhi, bllokuan foltoren, ndërkohë që shfaqën pankarta me akuza ndaj eksponentëve të Partisë Socialiste.

Ndërkohë, mazhoranca miratoi përbërjen e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve me anëtarë nga radhët e saj, ndërsa PD refuzoi të marrë pjesë në të dhe në Sekretarinë e Përkohshme.

Kryeministri Edi Rama reagoi me një postim ironik në rrjetet sociale, duke thumbuar opozitën për sjelljen e saj në sallë, ndërsa Berisha jashtë Kuvendit e quajti këtë “një narkoparlament” dhe akuzoi Ramën se ka shkelmuar rregulloren me ndryshimet e komisioneve.

Pasdite, seanca u shty për orën 17:00, ku pritet verifikimi i mandateve dhe votimi i Kryetarit të ri të Kuvendit. Partia Socialiste ka propozuar Niko Peleshin për këtë post, një kandidaturë e shpallur një ditë më parë nga kryesocialisti Rama. Votimi do të zhvillohet me procedurë të fshehtë, me fletë dhe kuti votimi, ndërkohë që opozita ka paralajmëruar bojkot të procesit.

Kështu, mbledhja e parë e Legjislaturës së XI-të, e cila duhej të ishte ceremoniale dhe solemne, u shoqërua me debate të ashpra, akuza të ndërsjella dhe bllokim të punimeve nga opozita, duke shënuar një nisje të tensionuar të jetës parlamentare të këtij mandati.