Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot para Asamblesë së Partisë Socialiste emrat e qeverisë së re, e cila do të drejtojë vendin gjatë mandatit të ardhshëm. Kabineti i katërt i tij vjen me disa emra të rinj, ndërsa disa figura të njohura të politikës socialiste kanë ruajtur postet e tyre.
Belinda Balluku është konfirmuar si një nga figurat kryesore të qeverisë, duke ruajtur postin e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Një risi e madhe është emërimi i Albana Koçiut në krye të Ministrisë së Brendshme, duke shënuar herën e parë që ky dikaster do tё drejtohet nga një grua. Elisa Spiropali kalon në diplomaci, duke u vendosur në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa Petrit Malaj vijon tё mbajё drejtimin e Financave.
Në kabinet ka edhe emra të tjerë që hyjnë për herë të parë në qeveri. Sofjan Jaupaj është caktuar ministër i Mjedisit, Besfort Lamallari do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa Andis Salla do të jetë në krye të Bujqësisë. Evis Sala do të mbajë postin e Ministres së Shëndetësisë.
Nga ana tjetër, disa ministra të njohur kanë ruajtur pozitat e tyre, por në dikastere të ndryshme. Blendi Gonxhja është vendosur në krye të Ministrisë së Kulturës, Turizmit dhe Sportit, ndërsa Mirela Kumbaro do të drejtojë Arsimin dhe Sportin. Delina Ibrahimaj mbetet pjesë e kabinetit si Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit. Pirro Vengu gjithashtu do tё vijojё si ministër i Mbrojtjes, ndërsa Toni Gogu është zgjedhur për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ky është kabineti i plotë i “Rama 4”:
- Belinda Balluku – Zëvendëskryeministër dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë;
- Albana Koçiu – Lë Shëndetësinë dhe emërohet Ministre e Brendshme;
- Elisa Spiropali – Lë Kuvendin dhe emërohet Ministre e Jashtme;
- Pirro Vengu – Ministër i Mbrojtjes;
- Blendi Gonxhe – Ministër i Kulturës, Turizmit dhe Sporteve;
- Sofjan Jaupaj – Ministër i Mjedisit;
- Mirela Kumbaro – Ministre e Arsimit dhe Rinisë;
- Petrit Malaj – Ministër i Financave
- Evis Sala – Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
- Besfort LLamallari – Ministër i Drejtësisë;
- Andis Salla – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
- Ervin Demo – Ministër për Pushtetin Vendor;
- Majlinda Dhuka – Ministre e Shtetit dhe kryenegociate e Shqipërisë;
- Adea Pirdenin – Ministre e Shtetit për Antikorrupsionin;
- Toni Gogu – Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Kabineti i ri sjell një kombinim të figurave të konsoliduara brenda Partisë Socialiste dhe emrave të rinj, duke i dhënë një tjetër formë qeverisë që pritet të nisë punën në muajt e ardhshëm.
Rama nënvizoi se nё kёtё mandat tё katërt duhet të kenë të njëjtin vullnet për të qeverisur si tё jenё në mandatin e parë, duke shtuar në fund se për ta çuar përpara këtë kapitull të ri qeverisës nevojitet “durim strategjik” dhe asnjë hap pas në raport me drejtësinë dhe pavarësinë e saj.