Kreu Tjetër “Shkarkohet” nga detyra shefja e “FBI”-së shqiptare

“Shkarkohet” nga detyra shefja e “FBI”-së shqiptare

Aida Hajnaj, drejtuesja e parë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, u lirua nga posti pas një vendimi të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili me 6 vota pro dhe 4 kundër konfirmoi përfundimin e mandatit të saj pesëvjeçar.

Mandati i Hajnaj kishte nisur më 30 korrik 2020, kur ajo u përzgjodh si drejtuesja e parë e kësaj strukture të posaçme pranë SPAK-ut, e konceptuar shpesh si “FBI-ja shqiptare” për rolin e saj në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pas pesë vitesh në krye të BKH-së, mandati i saj skadoi më 31 gusht 2025, ndërsa një ditë më pas, më 1 shtator, KLP u mblodh për të konstatuar mbylljen zyrtare të tij dhe për ta liruar nga detyra.

Në muajt e fundit, Hajnaj kishte shprehur interes për një mandat të dytë, por procesi i riemërimit kërkonte kalimin e disa fazave të rivlerësimit dhe testimit. SPAK shpalli garën për drejtimin e BKH-së dhe caktoi një komision me në krye kryeprokurorin Altin Dumani për të shqyrtuar kandidatët, ndërsa afati i fundit për aplikime ishte 7 maji. Drejtuesja aktuale nuk rezultoi të kishte ndjekur më tej procesin, duke mos kaluar në fazën e përzgjedhjes, çka e bëri të pashmangshëm përfundimin e mandatit të saj në fund të gushtit.

Në mbledhjen e KLP-së, një pjesë e anëtarëve mbajtën qëndrimin se mandati i saj mund të konsiderohej i vlefshëm deri në caktimin e drejtuesit tё ri, por shumica me 6 vota vendosi ta konsiderojë të mbyllur më 31 gusht dhe ta lirojë nga detyra. Në kushtet kur drejtues i ri nuk është zgjedhur ende, drejtimin e përkohshëm të BKH-së e ka marrë zëvendësdrejtori Joni Keta, i cili është gjithashtu një prej shtatë kandidatëve që vijojnë garën për këtë post. Bashkë me të në listë janë edhe Gledis Nano, Gentian Shehaj, Elton Kërluku, Andi Pogaçe, Artur Beu dhe Gentian Ndoi, ndërsa gjashtë të tjerë janë skualifikuar për shkak të mungesës së dokumentacionit.

Me këtë vendim mbyllet një kapitull i rëndësishëm për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, institucion i krijuar si pjesë e reformës në drejtësi.