Kreu Art Tom Cruise zbulon sekretin e rinisë së përjetshme në tryezë

Tom Cruise zbulon sekretin e rinisë së përjetshme në tryezë

Tom Cruise prej vitesh është shembulli më i gjallë se si disiplina dhe kujdesi i vazhdueshëm për trupin e mendjen mund të të mbajnë në formë edhe përtej të gjashtëdhjetave.

Aktori hollivudian, i njohur për rolet e tij plot adrenalinë dhe për faktin që edhe në moshën 62-vjeçare kryen vetë shumicën e skenave të rrezikshme, e bazon vitalitetin e tij mbi një regjim ushqimor të thjeshtë, por jashtëzakonisht të rreptë. Cruise nuk i përmbahet vakteve tradicionale, por preferon të konsumojë rreth 15 vakte të vogla gjatë ditës, me qëllim që të mbajë metabolizmin gjithnjë aktiv dhe trupin të furnizuar në mënyrë të qëndrueshme me energji.

Pjata e tij e përditshme është e mbushur me proteina cilësore dhe ushqime anti-inflamatore si peshku i bardhë i zier me avull, perimet e freskëta, sallatat pa yndyrë apo salca, frutat e stinës dhe arrat.

Një element interesant në rutinën e tij është edhe mëngjesi i pasur me vezë, të shoqëruara me fruta të thata si arra apo bajame. Ndërsa mishin si burim kryesor proteine e konsumon të pjekur në temperaturë mesatare dhe në mënyrë të ngadaltë, sidomos në ditët kur e pret një skenë me intensitet të jashtëzakonshëm.

Aktori shmang me kujdes çdo ushqim që mund të minojë energjinë apo të ndikojë në përbërjen trupore. Sheqeri i përpunuar, pijet e gazuara, çokollatat dhe produktet e përpunuara nuk kanë vend në dietën e tij.

Po ashtu, Cruise i qëndron larg karbohidrateve të përpunuara, si buka apo makaronat, dhe ushqimeve të skuqura ose të ngarkuara me yndyrë. Përveç tyre, alkooli mungon tërësisht në jetën e aktorit, pasi ai e konsideron të dëmshëm për qartësinë mendore dhe performancën fizike.

Përmes kësaj qasjeje të balancuar, Tom Cruise ka ndërtuar një stil jetese ku forca, freskia dhe shëndeti janë në shërbim të karrierës së tij, duke treguar se rregulli dhe zgjedhjet e mençura ushqimore janë çelësi për të mbetur energjik edhe atëherë kur vitet numërohen mbi supe.