Për herë të parë pas dhjetë vitesh, Gjermania ka regjistruar mbi 3 milionë të papunë, duke sjellë në qendër të vëmendjes një krizë që godet zemrën e ekonomisë më të madhe të Europës.
Kjo shifër e përkthyer ndryshe do të thotë një “Shqipëri” e tërë pa punë, brenda kufijve të një vendi që prej dekadash shihet si lokomotiva e kontinentit.
Sipas Agjencisë Federale të Punësimit, vetëm gjatë muajit gusht 2025 u regjistruan 3.03 milionë të papunë, duke u rritur me 46 mijë krahasuar me korrikun dhe me 153 mijë më shumë se një vit më parë. Për herë të fundit, Gjermania kishte kaluar këtë prag në shkurt të vitit 2015.
Shkalla e papunësisë ka shkuar në 6.4 % sipas llogaritjeve zyrtare të kryera për këtë periudhë. Zyrtarët gjermanë kanë pranuar se rritja e papunësisë lidhet pjesërisht me sezonin e verës, por analistët theksojnë se sfidat strukturore janë shumë më të thella.
Krahas sfidave që lidhen me ngadalësimin ekonomik, investimet dhe konkurrencën ndërkombëtare, papunësia e lartë ngre pyetje mbi qëndrueshmërinë e modelit ekonomik gjerman në vitet që vijnë.
Fakti që për herë të parë në një dekadë shifra e të papunëve kalon pragun e tre milionëve, e shndërron këtë situatë jo vetëm në një problem statistikor, por në një sinjal alarmi për gjithë Europën.
Burimi: DW