Mbrëmjen e 21 gushtit disa vatra zjarri u aktivizuan në qarkun e Vlorës, duke përfshirë zonën e Fushë Dukatit, Drashovicën dhe Vajzën.
Në kodrat pranë Drashovicës në bashkinë Selenicë, flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe terrenit të vështirë që e bëri të pamundur ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e tyre.
Ndërkohë, në Fushë Dukat, banorët u përballën vetë me zjarrin që ndodhej vetëm pak metra larg banesave të tyre. Pa praninë e forcave zjarrfikëse apo të emergjencave civile, ata përdorën mjete rrethanore dhe ujë nga një autobot për të parandaluar përhapjen e flakëve.
Pamjet e siguruara nga terreni tregojnë qartë angazhimin e tyre për të shmangur rrezikun e djegies së banesave.
Sipas autoriteteve, disa nga vatrat u izoluan më vonë, ndërsa zjarret në lartësitë e Drashovicës vijonin të mbeteshin aktive.
Deri në orët e vona të mbrëmjes nuk kishte njoftime për të lënduar, por situata mbeti e rënduar dhe nën monitorim të vazhdueshëm.