Kreu Drejtësi Arratisja e çuditshme e një ish titullari “High Tech” – Daniel Shima,...

Arratisja e çuditshme e një ish titullari “High Tech” – Daniel Shima, “fik” dhe “ndez” opinionin publik

Një ngjarje e pazakontë u njoftua dje nga Policia e Tiranës. Ish zëvendësdrejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima, ishte denoncuar i zhdukur nga nëna e tij rreth mesditës.

Sipas dëshmisë së familjarëve, ai ishte larguar pa lënë asnjë gjurmë, ndërsa mesazhi i fundit që u kishte dërguar kishte qenë tronditës: “Po më arrestojnë!”. Pas kësaj, çdo komunikim u ndërpre dhe paniku përfshiu familjen, e cila iu drejtua policisë për ndihmë.

Autoritetet nisën menjëherë kërkimet dhe pas disa orësh Shima u rishfaq në gjendje të mirë shëndetësore, por misteri i “arratisjes” së tij vetëm sa u thellua.

Lajmi u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe portale, duke ndezur një valë reagimesh, aludimesh e teorish. Për një pjesë, gjithçka ishte një veprim i çuditshëm personal, për të tjerë ishte një episod i lidhur ngushtë me prapaskenat e tenderave të dyshimtë që po hetohen në SPAK.

Emri i Daniel Shimës nuk është i panjohur për publikun. Ai ka qenë njeriu më i afërt i drejtoreshës së përgjithshme të AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila vetë u thirr disa muaj më parë në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë shpjegime mbi procedura tenderuese me vlera të mëdha financiare. Pikërisht ditën që Karçanaj doli nga SPAK, Shima u shkarkua nga posti i zëvendësdrejtorit, një lëvizje që u lexua nga shumëkush si “heqje qafe” e njeriut më besnik, apo mbase një “bashkëpunëtori të ardhshëm të drejtësisë”, për t’u distancuar nga një hetim që po zgjerohej.

Nga ana tjetër, ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ndodhet jashtë vendit, ka deklaruar se Shima është kërcënuar drejtpërdrejt “nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën”, duke hedhur dyshime të forta se zhdukja e djeshme mund të ketë lidhje me presione politike dhe me dosje sensitive që po shqyrton SPAK-u.

Policia, ndërkohë, ka bërë me dije se janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku u pa për herë të fundit, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta. Hetimet pritet të zbardhin nëse kemi të bëjmë me një episod të izoluar personal apo me një hallkë të re të skandalit të tenderave të AKSHI-t.

Ngjarja e djeshme ka “fikur” dhe “ndezur” opinionin publik, duke e rikthyer Daniel Shimën nga një ish-zyrtar jashtë vëmendjes në qendër të kronikës dhe debatit shoqëror. Por pas zhdukjes së papritur, mbetet hapur një hije e rëndë: hetimet e SPAK-ut për tenderat e AKSHI-t dhe shumat me miliona euro që përfliten si rryshfete të shpërndara në mënyrë të dyshimtë.

Rasti i Shimës është i lidhur ngushtë me dosje në hetim dhe pyetja që ngrihet është e qartë: a kemi të bëjmë me një episod personal, apo me një hallkë tjetër të aferës që ka përfshirë institucionin më të rëndësishëm të teknologjisë në vend?

Përgjigjja mbetet në duart e SPAK-ut, ndërsa publiku pret sqarime për të kuptuar se kush do të mbajë përgjegjësi për këtë histori që shkon përtej një “zhdukjeje” disa orëshe.