Në Leeds, Britaninë e Madhe, po përgatitet një ekspozitë e pazakontë që do të ndryshojë mënyrën se si përjetohet arti.
“Beyond the Visual” (Përtej të Parit) është një ekspozitë skulpturash e kuruar nga persona të verbër dhe me shikim të pjesshëm, e cila vendos prekjen në qendër të përvojës artistike.
Ekspozita do të hapet më 28 nëntor 2025 në Henry Moore Institute dhe do të zgjasë deri më 8 mars 2026. Ajo sjell vepra të reja dhe historike nga artistë ndërkombëtarë si Lenka Clayton, Emilie Louise Gossiaux, Jennifer Justice dhe Collin van Uchelen, duke ofruar një përvojë tërësisht ndryshe nga ekspozitat tradicionale ku arti shihet por nuk lejohet të preket.
Ky projekt është rezultat i një kërkimi trevjeçar që synon të sjellë ndryshime afatgjata në botën e artit, duke e bërë atë më gjithëpërfshirës. Një nga bashkë-kuratorët, Dr. Aaron McPeake, thekson konceptin e “blindness gains” – përfitimet që të gjithë vizitorët marrin nga përmirësimet e aksesueshmërisë. Ai shpjegon se arti i prekshëm nuk është thjesht për ata që nuk shohin, por është një mënyrë më demokratike dhe e hapur për të gjithë.
Në këtë kuadër, edhe trashëgimia e vetë Henry Moore merr një kuptim të ri, pasi ai ka qenë një zë i fortë i përvojës së prekjes në art.
“Përtej të Parit” vjen kështu si një sfidë ndaj dominimit vizual në kulturën perëndimore, duke treguar se arti mund dhe duhet të përjetohet me të gjitha shqisat.
Burimi: The Guardian