Kreu Newsbuf SHBA paralajmëron qytetarët amerikanë në Shqipëri për rrezikun nga zjarret

SHBA paralajmëron qytetarët amerikanë në Shqipëri për rrezikun nga zjarret

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një njoftim urgjent për qytetarët amerikanë në Shqipëri, duke i paralajmëruar të tregojnë kujdes për shkak të disa zjarreve që po përhapen në zona të ndryshme të vendit.

Sipas ambasadës, disa zona janë tashmë nën urdhër evakuimi.Qytetarëve amerikanë u kërkohet të shmangin zonat e prekura, veçanërisht ato me urdhër evakuimi, dhe të ndjekin udhëzimet e policisë për mbylljen e rrugëve ose devijimet e trafikut.

Ata këshillohen të monitorojnë lajmet lokale për përditësime mbi gjendjen e zjarreve dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre në përputhje me rrethanat. Google Maps mund të ofrojë informacion në kohë reale mbi mbylljen e rrugëve dhe aktivitetin e zjarreve.

Ambasada thekson se zjarret në pyje janë të zakonshme në Shqipëri dhe thithja e tymit përbën një rrezik serioz për shëndetin edhe nëse personi nuk ndodhet pranë flakëve. Nëse një zjarr është afër vendndodhjes së tyre, përfshirë banesën, qytetarët duhet të evakuohen menjëherë drejt një zone të paprekur.

Po ashtu, këshillohet që të mos tentohet kalimi me automjet në zona të prekura nga tymi ose flakët. Në rast se nuk ka rrugë alternative, duhet udhëtuar ngadalë me dritare të mbyllura, kanalet e ajrit të jashtëm të bllokuara dhe dritat e ndezura për shikueshmëri më të mirë.

Ambasada inkurajon qytetarët amerikanë që ndodhen në zona të sigurta të informojnë të afërmit e tyre dhe të përditësojnë statusin e tyre në rrjetet sociale.

Ky paralajmërim vjen në një moment kur situata e zjarreve në Shqipëri është përshkallëzuar ndjeshëm, duke prekur disa qarqe dhe duke vënë në rrezik sigurinë e banorëve dhe pasuritë natyrore.

Autoritetet po monitorojnë nga afër zhvillimet, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për shuarjen e vatrave.