Nga kjo vjeshtë, udhëtimi drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe zonës Shengen do të bëhet më i rreptë për të gjithë shtetasit jo-europianë — përfshirë shqiptarët.
Nga 12 tetori 2025, hyn në fuqi EES (Entry/Exit System – Sistemi i Hyrje/Daljes), një sistem elektronik që do të zëvendësojë vulat tradicionale në pasaporta me regjistrim biometrik. Në pikat kufitare dhe aeroportet kryesore, udhëtarët do të kalojnë nëpër kioska automatike që do të skanojnë fytyrën dhe gjurmët e gishtërinjve, ndërsa në ekran do të shfaqen pyetje për qëllimin e udhëtimit, kohëzgjatjen dhe burimet financiare gjatë qëndrimit.
Sipas rregullave të reja, çdo udhëtar nga një vend jo-anëtar i BE-së duhet të ketë sigurim mjekësor udhëtimi, biletë kthimi dhe prova të akomodimit e fondeve të mjaftueshme për kohën që planifikon të qëndrojë. Nëse ndonjë nga këto kërkesa nuk plotësohet ose nëse përgjigjet gjatë verifikimit nuk janë të kënaqshme, udhëtari mund të ndalohet për kontroll shtesë dhe, në disa raste, t’i refuzohet hyrja.
Ky ndryshim prek edhe qytetarët britanikë, të cilët pas Brexit trajtohen si shtetas të vendeve të treta. Për ta, udhëtimi drejt vendeve të BE-së do të kërkojë të njëjtat dokumente si për çdo shtetas tjetër jo-europian: sigurim mjekësor, biletë kthimi, prova për akomodim dhe mjete financiare të mjaftueshme. Autoritetet britanike tashmë kanë paralajmëruar udhëtarët e tyre për të qenë të përgatitur dhe për të shmangur surprizat në kufi, pasi verifikimet do të jenë më të gjata dhe më të detajuara se më parë.
Këto masa janë hapi i parë i një reforme të gjerë kufitare që vitin e ardhshëm do të pasurohet me ETIAS (European Travel Information and Authorisation System – Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit). ETIAS, që pritet të nisë në vitin 2026, do të kërkojë që udhëtarët nga vendet e treta të aplikojnë online për autorizim përpara se të udhëtojnë, duke dhënë të dhëna personale, informacione mbi qëllimin e udhëtimit dhe duke paguar një tarifë të vogël, në një proces të ngjashëm me sistemin amerikan ESTA.
Faza e parë e zbatimit të EES do të nisë në disa pika kufitare më 12 tetor 2025, ndërsa deri më 10 prill 2026 pritet të mbulojë të gjitha vendet e zonës Shengen. Autoritetet paralajmërojnë se në fillim mund të ketë radhë të gjata dhe vonesa në kufi, ndaj udhëtarët këshillohen të jenë të përgatitur dhe të nisen me kohë.
Për shqiptarët që planifikojnë pushime, udhëtime pune apo vizita familjare në Europë, kjo do të thotë më shumë kujdes dhe dokumentacion përpara nisjes. Nga sigurimi shëndetësor deri te biletat e kthimit dhe rezervimet e hoteleve, çdo detaj do të jetë i rëndësishëm për të kaluar kufirin pa pengesa.