Nga veriu në jug, Shqipëria është sot një hartë me njolla të kuqe, ku çdo pikë përfaqëson një vatër zjarri. Nga zona e Bërzhitës në Tiranë, te brigjet e Syrit të Kaltër në Sarandë, e deri në fshatrat e thellë të Gramshit, flakët kanë gllabëruar pyje, toka bujqësore, shtëpi e jetë njerëzish.
Në 24 orët e fundit, autoritetet raportojnë 37 vatra aktive në të gjithë vendin. Por pas shifrave fshihen histori paniku, evakuimesh dhe humbjesh, ku banorët luftojnë me mjete të pamjaftueshme, ndërsa shteti mbërrin shpesh shumë vonë.
Tirana: tym mbi qytet
Në malin e Bërzhitës, tymi ngrihet mbi kryeqytet që prej mëngjesit. Zjarrfikësit janë të angazhuar në terren, ndërsa një helikopter hedh ujë nga lart. Banorët e zonës, me kova e lopata, përpiqen të mbajnë flakët larg shtëpive të tyre. “Po nuk erdhën shpejt, mbaruam,” thotë një burrë i moshuar, me duart e nxira nga tymi.
Saranda: Syri i Kaltër nën rrezik
Në jug, në zemër të një prej mrekullive natyrore të Shqipërisë, flakët kanë zbritur pranë rrugës Muzinë-Sarandë. Trafiku është bllokuar, turistët e hutuar shikojnë nga autobusët, ndërsa banorët e fshatrave përreth nxitojnë të largohen.
“Është hera e parë që shoh zjarr kaq afër Syrit të Kaltër,” thotë një banore e Muzinës. “Ky vend është bekim për ne, por sot duket si mallkim.” Helikopterët e dërguar nga jashtë dhe avionët zjarrfikës tentojnë të krijojnë një perimetër sigurie, por era e fortë e vështirëson çdo përpjekje.
Gramshi: tragjedia që s’mund të shlyhet
Në Gramsh, zjarri nuk la vetëm shkatërrim material. Një burrë rreth të tetëdhjetave humbi jetën nga asfiksia, kur flakët rrethuan fshatin Kullollas. Një grua dhe dy fëmijë u bllokuan mes zjarreve dhe u shpëtuan në momentin e fundit. Dhjetëra banorë janë evakuuar nga fshatra si Bletëz, Menkollarë, Shimër e Sojnik.
Banorët tregojnë për orë të tëra pritjeje, ndërsa helikopterët mbërritën me dy orë e gjysmë vonesë. “U dogjën shtëpi, bagëti, pemë. Ne mbetëm duke pritur, me shpresë që dikush po vinte. Por shteti erdhi vonë,” thotë një banor i evakuuar, me sytë të mbushur me lot.
Një krizë që përshfaqet çdo vit
Ky nuk është vit i parë që zjarret shkatërrojnë Shqipërinë. Por çdo vit duket se i gjen institucionet tona po aq të papërgatitura. Sistemi i emergjencave civile është ende i varfër në mjete, i brishtë në organizim dhe shpesh i paralizuar nga rekrutimet nepotike e vendimmarrja e ngadaltë.
Ndërkohë që bota përballet me temperatura rekord dhe zjarre gjithnjë e më të forta, vendet me struktura të fuqishme emergjencash arrijnë të minimizojnë dëmet. Shqipëria, me vetëm disa mjete ajrore në dispozicion dhe me ekipe zjarrfikësish të pajisur dobët, mbetet çdo verë nën mëshirën e fatit.
Çdo zjarr i sotëm është paralajmërim për nesër. Nuk mund të presim që ndërhyrja nga ajri të vijë nga Kroacia, Emiratet apo fqinjët tanë. Nuk mund të pranojmë që banorët të bëhen zjarrfikës me kova plastike, ndërsa struktura e emergjencave civile ngec mes mungesës së pajisjeve dhe burokracisë.
Me investime të pakta, trajnime të mirëfillta dhe rekrutime të bazuara në meritë, Shqipëria mund të kishte një sistem reagimi që shpëton jetë, jo vetëm që shuan flakë. Deri atëherë, çdo verë do të kthehet në një provë të dhimbshme se sa shumë mund të humbasësh kur shteti vjen vonë.