Një tërmet me magnitudë 6.1 ballë tronditi mbrëmjen e sotme provincën Balıkesir në perëndim të Turqisë, duke shkaktuar viktima, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas AFAD (Agjencia Turke e Menaxhimit të Katastrofave), lëkundja u regjistrua në orën 19:53 (me orën lokale) me epiqendër në zonën Sındırgı, rreth 200 kilometra larg Stambollit. Tërmeti u ndje fuqishëm në disa qytete të mëdha, përfshirë Stambollin dhe Izmirin.
Autoritetet konfirmuan se një grua 81-vjeçare humbi jetën pasi u nxorr nga rrënojat e banesës së saj, ndërsa 29 persona u plagosën, shumica me dëmtime të lehta. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet në disa objekte të shembura, mes frikës se mund të ketë ende persona të bllokuar.
Raportohet se 16 ndërtesa janë shembur plotësisht – kryesisht struktura të vjetra – dhe dy minare xhamish janë rrëzuar. Disa rrugë lokale janë bllokuar nga rrënojat, ndërsa janë shënuar shkëputje të energjisë elektrike në disa zona.
Pas tërmetit kryesor janë regjistruar disa pasgoditje, përfshirë një prej tyre me magnitudë 4.6, duke shkaktuar panik te banorët. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos kthehen në ndërtesat e dëmtuara deri në përfundimin e inspektimeve.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan garantoi mbështetje për të prekurit. “Ekipet tona të emergjencës janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje,” deklaroi ai.
Ky tërmet rikujton plagët e fatkeqësisë së vitit 2023, kur një seri lëkundjesh të fuqishme morën jetën e mbi 53 mijë personave në Turqi dhe mijëra të tjerë në Siri.