Kreu Rreth Globit Shqetësime për sigurinë e avionit luksoz nga Katari: Trump synon ta bëjë...

Shqetësime për sigurinë e avionit luksoz nga Katari: Trump synon ta bëjë Air Force One

Presidenti Donald Trump tha muajin e kaluar se avioni Boeing 747-8 i dhuruar nga Katari mund të jetë gati për t’u përdorur si Air Force One në shkurt 2026, shumë përpara dorëzimit të dy avionëve presidencialë të porositur nga Boeing. “Ata thonë shkurt,” deklaroi ai në fund të korrikut, duke theksuar se do të jetë “shumë më herët” se avionët e tjerë që ende po ndërtohen.

Por ish-zyrtarë të Pentagonit dhe analistë të aviacionit dyshojnë fort në realizimin e këtij afati. Ata theksojnë se përshtatja e një avioni të një qeverie të huaj me kërkesat unike të Air Force One është një proces i gjatë dhe kompleks, veçanërisht për sigurinë dhe sistemet e komunikimit. Andrew Hunter, ish-ndihmës sekretar i Forcave Ajrore, e quajti “sfidues, në mos të pamundur” përfundimin brenda afatit, përveç nëse presidenti heq dorë nga shumë kërkesa që garantojnë standardin presidencial.

Ekspertët paralajmërojnë se avioni mund të jetë teknikisht gati për të fluturuar deri në shkurt, por jo me nivelin e sigurisë që kërkon një Air Force One, duke rritur dyshimet se mund të anashkalohen procedura thelbësore.

Procesi i përshtatjes kërkon çmontimin dhe rindërtimin e avionit me pajisje të veçanta të komunikimit dhe sigurisë, një detyrë që mund të kushtojë qindra milionë dollarë. Çmimi i saktë është i klasifikuar, por sekretari aktual i Forcave Ajrore, Troy Meink, ka thënë se ka gjasa të jetë më pak se 400 milionë dollarë. Financimi pritet të vijë pjesërisht nga ridrejtimi i fondeve nga programi i raketave Sentinel.

Ndërkohë, programi ekzistues i Boeing për dy avionët e rinj presidencialë ka pasur vonesa të mëdha – nga dorëzimi i parashikuar në 2022, tani objektivi është 2027. Ekspertët thonë se edhe pse kompania ka bërë përparim kohët e fundit, modifikimet e kërkuara dhe standardet e sigurisë janë arsyeja kryesore e afateve të gjata.

Trump, megjithë kritikat dhe shqetësimet ligjore e etike për pranimin e dhuratës nga Katari, mbetet optimist se avioni do të jetë gati shumë më shpejt se alternativat dhe e ka quajtur të “padobishme” refuzimin e një “avioni falas dhe shumë të shtrenjtë”.

Përshtatur në shqip nga Bufiim.com. Burimi: CNN