Kreu Drejtësi Në Shqipëri shteti nxjerr nga shtëpia median – dy fajtorë me nga...

Në Shqipëri shteti nxjerr nga shtëpia median – dy fajtorë me nga një alibi.

Lajmi i bllokimit të grupit mediatik– News24, Balkanweb, Panorama, Gazeta Shqiptare – shpërtheu në portale, rrjete sociale dhe ekrane televizive.

Pamjet e policisë që hynin në ambientet e redaksive, deklaratat e gazetarëve të mbetur jashtë dhe ndërprerja e transmetimit krijuan menjëherë perceptimin e një “sulmi frontal ndaj fjalës së lirë”.

Reagimet nuk munguan: organizata të gazetarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë, figura politike dhe analistë e cilësuan veprimin si të papranueshëm. Për ta, ky është një precedent i rrezikshëm, ku një vendim administrativ shndërrohet në mjet për të heshtur zërat mediatikë, jo dhe aq kritikë.

Por, sipas Avokaturës së Shtetit, kjo nuk është një histori censurimi, por thjesht zbatim i ligjit. Në deklaratën e publikuar sot, institucioni sqaron se objekti ku funksiononte “Focus Media News” – kompania që zotëron këto media – është pronë shtetërore. Marrëdhënia kontraktore e qirasë ka përfunduar më 22 maj 2022 dhe kërkesa për lirimin e objektit është bërë zyrtarisht që në korrik të atij viti.Megjithatë, subjekti nuk e ka dorëzuar pronën, duke vijuar aktivitetin në kundërshtim me vendimet administrative dhe gjyqësore. Pas një beteje të gjatë në gjykata, më 14 korrik 2025, Gjykata e Apelit Administrativ ka urdhëruar “lirimin e menjëhershëm” të ambienteve, duke e cilësuar rezistencën e palës si të pabazuar në ligj.

Avokatura thekson se aktiviteti mediatik mund të vazhdojë në çdo ambient tjetër, duke nënvizuar se nuk ka asnjë akt që ndalon apo kufizon lirinë e shtypit — vetëm ekzekutim të një vendimi për kthimin e pronës publike në posedim të shtetit.

Ngjarja nxjerr në pah një dilemë të njohur: kur shteti zbaton një vendim gjyqësor ndaj medias, si sigurohet që kjo të mos perceptohet si censurë?

Nga njëra anë, vendimi i gjykatës është detyrues dhe moszbatimi i tij minon shtetin ligjor. Nga ana tjetër, ndërhyrja në ambiente ku ndodhen redaksi mediatike është gjithmonë e ngarkuar me simbolikë të fortë politike e sociale.

Në rastin konkret, media e sheh veprimin si akt presioni, ndërsa shteti e sheh si ekzekutim të ligjit.

Të dyja palët kanë argumente të vlefshme, por mungesa e komunikimit paraprak, mënyra e ndërhyrjes dhe momenti kohor e bëjnë situatën të ndjeshme.

Në një demokraci, liria e medias nuk mund të jetë justifikim për të shkelur ligjin, ashtu siç zbatimi i ligjit nuk mund të përdoret si mburojë për të goditur median. Kjo ngjarje tregon se, përveç vendimeve gjyqësore, rëndësi ka edhe transparenca dhe forma e veprimit.

Nëse qëllimi ishte thjesht zbatimi i një vendimi për pronën, shteti duhej të garantonte një proces të hapur, të qartë dhe të koordinuar me median, për të shmangur perceptimin e ndërhyrjes arbitrare. Nga ana tjetër, edhe mediat kanë detyrim të respektojnë vendimet gjyqësore, pavarësisht pozicionit editorial.

Kush ka të drejtë? Cili prej të dy pushteteve e ka tejkaluar atë? A është karta e një vendimi gjykate, alibia e vendosjes së “ruspave“ në një godinë ku bëhet media?

Janë me dhjetra pyetje “pro” dhe “kundër” që hapin një debat më tepër në mes të gushtit. Ajo çka mund të thuhet me siguri është: ekzekutivi, gjyqësori dhe media, nuk po e lënë verën 2025 të bëjë pushime.