Franca po përballet me zjarrin më të madh të këtij viti, i cili ka përfshirë një sipërfaqe të madhe pyjore në rajonin jugor të Aude, pranë kufirit me Spanjën.
Flakët e furishme, të përhapura me shpejtësi nga era e fortë dhe thatësira e tejzgjatur, kanë shkrumbuar mbi 13,000 hektarë, duke e tejkaluar për nga përmasat edhe vetë qytetin e Parisit.
Zjarrfikësit janë vënë në garë me kohën. Mbi 1,800 forca zjarrfikëse janë mobilizuar për të përballuar flakët, ndërsa avionë dhe helikopterë të specializuar vijojnë ndërhyrjet nga ajri.
Megjithë përpjekjet, autoritetet konfirmuan një viktimë, një grua e moshuar që nuk arriti të evakuohej në kohë, dhe nëntë persona të lënduar, përfshirë zjarrfikës që kanë pësuar dëmtime nga tymi i dendur.
Pamjet që vijnë nga terreni janë rrëqethëse: shtëpi të djegura, pemë të rrëzuara, njerëz që largohen me nxitim nga fshatrat e tyre, ndërsa një perandori e zjarrtë përhapet në horizont. Në komunën Saint-Laurent-de-la-Cabrerisse, shtëpitë janë reduktuar në hi, ndërsa banorët përpiqen të shpëtojnë ato pak sende që kanë mbetur.
Situata mbetet kritike. Zjarri, i ndihmuar nga era që fryn me rreth 60 km/h dhe temperaturat që tejkalojnë 38°C, përhapet me rreth 5,5 kilometra në orë, duke e bërë tepër të vështirë kontrollin e tij. Deri tani, janë raportuar të paktën 25 banesa të shkatërruara, ndërsa mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike.
Kryeministri François Bayrou ka vizituar zonën, duke e cilësuar situatën si “një emergjencë kombëtare që kërkon ndërhyrje të jashtëzakonshme.” Presidenti Emmanuel Macron, nga ana e tij, ka deklaruar se të gjitha mjetet e shtetit janë vënë në dispozicion për të ndihmuar komunitetet e prekura.
Sipas ekspertëve, kjo është një tjetër pasojë alarmante e ndryshimeve klimatike, të cilat po e bëjnë klimën mesdhetare gjithnjë e më të prirur ndaj zjarreve shkatërrimtare. Vala e të nxehtit që ka përfshirë rajonin, mungesa e reshjeve dhe thatësira e tokës kanë krijuar kushtet ideale për përhapjen e flakëve.
Ndërkohë që zjarrfikësit vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll vatrat aktive, situata mbetet e pasigurt. Autoritetet janë në gatishmëri të plotë, ndërsa banorët shpresojnë në qetësim të erërave dhe ndihmë nga reshjet e mundshme.
Ky zjarr, një nga më të mëdhenjtë e dekadës, nxjerr sërish në pah sfidat e mëdha që sjellin kushtet ekstreme të motit dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike. Ekspertët paralajmërojnë se raste të tilla mund të bëhen gjithnjë e më të shpeshta, nëse nuk merren masa afatgjata për parandalim dhe menaxhim të riskut.
Stina e verës në Mesdhe po bëhet gjithnjë e më e nxehtë, gjithnjë e më e rrezikshne.