Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben Gvir, ka shkaktuar një valë reagimesh të ashpra ndërkombëtare pasi vizitoi dhe kreu lutje në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit.
Ky veprim përbën shkelje të drejtpërdrejtë të status quo-së së vendosur prej dekadash, e cila ndalon lutjet jo-myslimane në vendin e shenjtë. Ben Gvir publikoi një video në rrjete sociale ku shfaqej duke u lutur në vendin e shenjtë, duke theksuar se “ky është vendi më i rëndësishëm për popullin hebre dhe ne duhet ta forcojmë kontrollin tonë mbi të“.
Vizita ndodhi në ditën e Tisha B’Av, një datë zie në kalendarin hebraik që përkujton shkatërrimin e tempullit hebraik në këtë vend, i njohur për myslimanët si Kompleksi i Xhamisë Al-Aksa.
Ndërkohë që Ben Gvir e paraqiti veprimin si një shprehje të besimit fetar dhe identitetit kombëtar, shumë e panë si një provokim të qëllimshëm në një moment tensioni të madh rajonal.
Në deklaratat e bëra nga oborri i kompleksit, Ben Gvir shkoi më tej duke kërkuar sovranitet të plotë izraelit mbi Rripin e Gazës, dëbimin e Hamasit dhe nxitjen e asaj që ai e quajti “migrim vullnetar” të palestinezëve nga territori – ide që u cilësuan si ekstremiste dhe raciste nga përfaqësues palestinezë dhe liderë ndërkombëtarë.
Reagimet nuk vonuan. Jordania, që ka rol zyrtar si kujdestare e vendit të shenjtë, e dënoi vizitën si një “shkelje flagrante të të drejtës ndërkombëtare” dhe “një sulm të rrezikshëm ndaj statusit historik e ligjor të vendit të shenjtë”. Autoriteti Palestinez e quajti këtë akt “një përshkallëzim të qëllimshëm dhe të papranueshëm”, ndërsa Turqia dhe Arabia Saudite shprehën shqetësim për pasojat e mundshme të destabilizimit të mëtejshëm të rajonit. Grupi militant Hamas e përshkroi veprimin si “një provokim të hapur që do të ketë pasoja”.
Përballë presionit ndërkombëtar, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu lëshoi një deklaratë duke pohuar se politika e Izraelit ndaj status quo-së në Al-Aksa “nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë“, megjithëse veprimet e ministrit të tij tregojnë të kundërtën.
Kjo është hera e parë që një ministër izraelit deklaron publikisht se ka kryer lutje në Al-Aksa, çka rrit ndjeshëm tensionet fetare dhe politike në një periudhë kur lufta në Gaza ka marrë qindra jetë dhe ka shkaktuar një krizë humanitare të përmasave të rënda.
Burime: CNN, Reuters, The Guardian, AP News