Daily Mail i ka kushtuar vëmendje me një artikull të gjatë dy vëllezërve shqiptarë nga Burreli – Artur dhe Klevis Hoxhosmani – të arrestuar në Shqipëri pas një operacioni të koordinuar ndërkombëtar antidrogë, që kishte në shënjestër një rrjet të dyshuar trafikantësh kokaine me vlerë mbi 355 milionë paund.
Sipas të përditshmes britanike, Artur Hoxhosmani, i cili prej vitesh ka ndërtuar një profil “ligjor” si sipërmarrës në Mbretërinë e Bashkuar, zotëronte një sërë kompanish – përfshirë biznese udhëtimi, ndërtimi dhe transporti në Britani – por është identifikuar nga autoritetet si një hallkë kyçe në trafikun ndërkombëtar të kokainës që përfshinte Amerikën Latine, portet europiane dhe tregun britanik.
Ai u arrestua në Tiranë së bashku me vëllanë e tij Klevis Hoxhosmani, i cili po ashtu dyshohet se ka pasur rol aktiv në rrjetin e trafikimit dhe shpërndarjes së drogës.
Ajo që e ka bërë këtë rast tërheqës për median britanike është lidhja e Klevis Hoxhosmanit me një emër të njohur të politikës shqiptare. Ai është në një lidhje me Kejda Ajazin, vajzën e Majlinda Bregut, ish-deputete e Partisë Demokratike, ish-ministre dhe së fundmi Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) me seli në Sarajevë.
Në artikullin e Daily Mail, Kejda përshkruhet si “glamuroze”, e shfaqur në rrjetet sociale me fotografi që dëshmojnë një stil jetese luksoz – nga udhëtime në destinacione ekskluzive, veshje dhe aksesorë të markave të shtrenjta, deri tek automjete luksoze në Londër, Monako dhe Tiranë.
Sipas Daily Mail, autoritetet arritën të identifikonin Hoxhosmanët pas dekriptimit të komunikimeve të koduara përmes platformës Sky ECC, një aplikacion i përdorur gjerësisht nga rrjetet kriminale. Nga mesazhet e përgjuara, Artur Hoxhosmani përshkruhej si “përgjegjës për magazinimin” e drogës – një rol logjistik që përfshinte menaxhimin dhe shpërndarjen e kokainës në rrjetin europian.
Hetuesit dyshojnë se kompanitë në emër të Arturit në Mbretërinë e Bashkuar mund të kenë shërbyer si mbulesë për aktivitete të pastrimit të parave.
Operacioni ndërkombëtar u zhvillua në bashkëpunim mes agjencive të rendit në Shqipëri, Britani, Belgjikë dhe përmes mbështetjes së Europol. Në Shqipëri, gjatë arrestimeve u sekuestruan prona, makina luksoze dhe dokumentacion i rëndësishëm që ndërlidhet me aktivitetin e dyshuar kriminal.
Rasti i Hoxhosmanëve është shembulli më i fundit i përfshirjes së shtetasve shqiptarë në rrjetet e trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilët shpesh paraqiten në publik si biznesmenë të suksesshëm, ndërkohë që në prapaskenë janë të lidhur me organizata kriminale transnacionale.
Përballë kësaj skeme të gjerë, hetuesit po verifikojnë edhe burimin e pasurisë dhe rrjetin e kontakteve në Mbretërinë e Bashkuar, Shqipëri dhe gjetkë.

Burimi kryesor: Daily Mail, https://www.dailymail.co.uk/news/article-14953989/Wealthy-Albanian-owns-string-UK-businesses-accused-355m-cocaine-smuggling-plot-Son-law-glamorous-politician-arrested-police-alongside-brother.html