Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën më 30 korrik 2025 sanksione ndaj një prej gjyqtarëve më të lartë të Brazilit, Alexandre de Moraes, anëtar i Gjykatës Federale Supreme.
Masat u morën nëpërmjet Ligjit Global Magnitsky, që lejon penalizimin e individëve të huaj të akuzuar për korrupsion dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Në këtë rast, ndaj gjyqtarit brazilian u ngritën akuza për arrestime arbitrare dhe censurë ndaj lirisë së shprehjes.
Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se pasuritë e mundshme të de Moraes në SHBA do të ngrihen, ndërsa çdo bashkëpunim financiar me qytetarë apo kompani amerikane ndalohet.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, e akuzoi gjyqtarin për “përdorim të sistemit gjyqësor për ndjekje politike”, duke e cilësuar një “gjueti shtrigash” ndaj qytetarëve brazilianë dhe amerikanë, veçanërisht në kuadër të hetimeve kundër ish-presidentit Jair Bolsonaro.
Në fokus të akuzave është edhe vendimi i de Moraes për të bllokuar aksesin në rrjetin social X (ish-Twitter) në Brazil, veprim që u konsiderua si ndërhyrje e papranueshme ndaj platformave të lirisë së fjalës. Masat ndaj tij ndjekin një vendim të mëhershëm të Uashingtonit për të kufizuar hyrjen në SHBA të tij dhe të familjarëve të afërt, gjithashtu për shkak të veprimeve të cilësuara si antidemokratike.
Po ashtu, në të njëjtën ditë, administrata Trump njoftoi vendosjen e një tarife doganore prej 50% mbi importet braziliane, duke lidhur zhvillimet ekonomike me qëndrimet kundrejt çështjes Bolsonaro.
Presidenti aktual i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, reagoi ashpër duke i cilësuar masat amerikane si një ndërhyrje të papranueshme në punët e brendshme të vendit dhe në sistemin e tij të drejtësisë.
Lëvizja e SHBA-së ka ngjallur reagime edhe nga juristë dhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilët shprehen të shqetësuar për precedentin që krijon përdorimi i një ligji të tillë për ndëshkimin e një gjyqtari të lartë në një vend demokratik. Ndërkohë, hetimet ndaj Bolsonaro vazhdojnë, me akuza të rënda për komplot për të qëndruar në pushtet pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022.
Ky zhvillim shënon një moment delikat për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ngre pikëpyetje mbi kufijtë e ndërhyrjes ndërkombëtare në çështje të drejtësisë dhe sovranitetit të një shteti.
Burimi: Reuters, AP News, Financial Timss,