Një e shtunë e zakonshme në zemër të Manhattanit u kthye në një skenë të errët terrori, kur një 27-vjeçar i armatosur rëndë hyri në ndërtesën ikonë- 345 Park Avenue dhe hapi zjarr ndaj të pafajshmëve.
Shane Devon Tamura, nga Las Vegasi, kishte përshkuar mijëra kilometra me makinë për të arritur në Nju Jork, ku kishte planifikuar një sulm të ftohtë dhe të mirëmenduar. I veshur me jelek antiplumb dhe i pajisur me pushkë sulmuese AR-15, ai hyri në ndërtesën ku ndodhen zyrat e korporatave si Blackstone, NFL dhe Rudin Management, duke nisur menjëherë një masakër të verbër.
Në hollin kryesor, Tamura qëlloi për vdekje një oficer të Policisë së Nju Jorkut që shërbente si roje sigurie, një roje tjetër private dhe Wesley LePatner, ekzekutive e lartë e Blackstone, e cila u përpoq të strehohej pas një kolone.
Kaosi shpërtheu në çdo kat të ndërtesës: punonjësit u fshehën në dhoma të mbyklura me çelës, vunë barrikada nëpër zyra me mobilje, dhe disa përdorën ashensorët e shërbimit për të shpëtuar nga kati në kat. Një punonjëse që po zbriste të merrte darkën e porositur mori një mesazh alarmues nga shpërndarësi: “Ka një sulmues në holl”. Ajo dhe të tjerë u fshehën në një zyrë.
Tamura, ndërkohë, u ngjit në katin e 33-të në kërkim të zyrave të NFL-së, por gabimisht hyri në hapësirat e firmës së pasurive të paluajtshme Rudin Management. Atje, vrau Julia Hyman, një punonjëse e re, përpara se t’i jepte fund jetës me një plumb në kraharor.
Në vendngjarje u gjet një letër vetëvrasjeje tre-faqëshe, ku ai akuzonte NFL-në për neglizhencën ndaj CTE-së – sëmundjes së trurit që prek sportistët. Bilanci i tragjedisë ishte i rëndë: katër të vdekur dhe disa të plagosur, mes tyre një punonjës i NFL-së që ndodhet në gjendje të qëndrueshme në spital.
Policia konfirmoi se sulmuesi kishte histori problemesh mendore dhe brenda makinës së tij BMW u gjetën armë të tjera, municion dhe medikamente.
Ngjarja ka tronditur komunitetin financiar dhe sportiv të qytetit, duke vënë në pikëpyetje edhe sigurinë në ndërtesat më të mbrojtura të qytetit.
Heroizmi i të ndjerëve, frika e punonjësve dhe veprimet e shpejta të autoriteteve mbeten në kujtesën e një nate të errët që Nju Jorku nuk do ta harrojë shpejt.