Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e dënuar e Jeffrey Epstein, ka deklaruar përmes avokatit të saj se është e gatshme të dëshmojë para Kongresit të SHBA-së, por vetëm nëse i plotësohen disa kushte të rrepta. Në një letër zyrtare drejtuar Komitetit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, Maxwell kërkon garanci për imunitet të plotë ligjor, që pyetjet t’i dorëzohen paraprakisht dhe që seanca të mos zhvillohet brenda burgut federal të Floridës, ku ajo po vuan dënimin.
Nëse këto kërkesa nuk pranohen, avokati i saj, David Oscar Markus, ka paralajmëruar se klientja e tij do të heshtë duke aplikuar të drejtën për të mos vetë-inkriminuar veten, të garantuar nga Amendamenti i Shtatë i Kushtetutës Amerikane.
Përveç kësaj, Maxwell kërkon që çdo dëshmi para Kongresit të ndodhë vetëm pasi të përfundojnë apelimet e saj në Gjykatën e Lartë, duke theksuar se nuk ka ndërmend të rrezikojë veten pa mbrojtje të qartë ligjore. Avokati i saj tha se ajo nuk ka frikë të flasë publikisht, por do ta bëjë këtë vetëm “kur të mos ketë më rrezik ligjor për të.”
Kjo kërkesë ka ardhur pas disa javësh bisedimesh joformale me përfaqësues të Komisionit të Kongresit dhe pas një takimi me Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Todd Blanche, ku sipas raportimeve, Maxwell ka treguar gatishmëri të flasë për emra konkretë që lidhen me rrjetin e abuzimeve seksuale të ngritur nga Jeffrey Epstein.
Megjithatë, kërkesa për imunitet është përballur me refuzim të menjëhershëm nga Kongresi. Kryetari i Komisionit të Mbikëqyrjes, James Comer, e ka bërë të qartë se nuk do të ketë marrëveshje të tilla dhe se dëgjimi është planifikuar për në 11 gusht në ambientet e burgut ku ndodhet Maxwell, në Tallahassee të Floridës.
Maxwell, e dënuar në vitin 2022 me 20 vjet burg për trafik të miturish dhe ndihmë në abuzime seksuale me fëmijë në bashkëpunim me Epstein, është një prej figurave kyçe në një prej skandaleve më të mëdha të dekadës së fundit në SHBA. Megjithatë, ajo nuk ka folur kurrë publikisht për rrjetin e gjerë që përfshinte figura të njohura nga fusha e politikës, biznesit dhe jetës publike. Ofertat e saj për bashkëpunim kanë ardhur gjithmonë me kosto të larta ligjore – si kjo e fundit: imunitet të plotë.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse Kongresi do të rishqyrtojë qëndrimin e tij ose nëse dëshmia e Maxwell do të mbetet një tjetër kapitull i mbyllur në heshtje.
Burimet: CNN, Washington Post