Kreu Rreth Globit Jo vetëm Shqipëria, por edhe Britania – qindra pub-e drejt mbylljes në...

Jo vetëm Shqipëria, por edhe Britania – qindra pub-e drejt mbylljes në Angli, Uells dhe Skoci

Kriza ekonomike dhe rritja e kostove të punës kanë vënë në prag të falimentimit një nga sektorët më identifikues të Britanisë së Madhe – industrinë e pub-eve.

Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Britanike e Birrës dhe Pub-eve (BBPA), gjatë vitit 2025 pritet të mbyllen rreth 378 lokale, një mesatare prej një pub-i në ditë në të gjithë territorin e Anglisë, Uellsit dhe Skocisë.

Arsyet kryesore që po çojnë drejt kolapsit këtë sektor janë rritja e pagës minimale dhe kontributet më të larta për sigurimet kombëtare që janë vendosur nga qeveria britanike. Bizneset e vogla, përfshirë pub-et dhe restorantet, po përballen me presion të madh financiar, ndërsa të ardhurat e tyre janë ngushtuar ndjeshëm.

BBPA paralajmëron se, nëse nuk merren masa të menjëhershme, mijëra vende pune do të humbasin dhe komunitetet lokale do të mbeten pa një nga hapësirat e tyre më tradicionale sociale.

Sipas raportimeve të mediave britanike, mbi 5,600 vende pune janë në rrezik direkt për shkak të mbylljes së këtyre bizneseve. Situata është përkeqësuar edhe më shumë pas rritjes së taksave mbi pronën komerciale dhe kostove të energjisë, që kanë bërë të papërballueshme operimin për një pjesë të madhe të pronarëve të pub-eve. Në përpjekje për të mbijetuar, shumë prej tyre janë detyruar të transformojnë aktivitetin: nga oferta të reja gastronomike te organizimi i eventeve kulturore, por për shumicën këto përpjekje nuk mjaftojnë për të përballuar barrën fiskale.

Shoqata Britanike e Pub-eve i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërhyjë me masa lehtësuese fiskale, ndër to ulja e taksave lokale dhe reduktimi i akcizës mbi birrën, për të shpëtuar një sektor që punëson mbi një milion persona dhe që konsiderohet pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore britanike.

Burimet: The Sun, Sky News, The Guardian.