Presidenti Emmanuel Macron njoftoi se Franca do të njohë Palestinën si shtet të pavarur gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator 2025 – duke u bërë vendi i parë anëtar i G7 që merr këtë hap. Vendimi shënon një kthesë të rëndësishme në politikën e jashtme të Francës dhe mund të ndryshojë dinamikën diplomatike në Lindjen e Mesme
Në një botë ku shumë prej fuqive globale po hezitojnë për t’u larguar nga status quo-ja, Macron nis një strategji që synon rikthimin e zgjidhjes dy-shtetërore dhe përmbajtjen e krizës humanitare në Gaza –që sipas tij, nuk arrihet me pushtet ushtarak, por me diplomaci të fortë e të qëndrueshme.
Reagimet ndërkombëtare kanë qenë të përziera: Izraeli dhe SHBA reaguan me ashpërsi, duke cilësuar vendimin si mbështetje indirekte për Hamasin dhe rrezik për sigurinë e Izraelit. Zyra e Sekretarit të Shtetit amerikan e konsideroi veprimin “të papërgjegjshëm”, ndërsa Netanyahu paralajmëroi për pasoja afatgjata ndaj marrëdhënieve dy-palëshe me Francën.
Ndër vite, mbi 140 vende kanë njohur Palestinën si shtet të pavarur. Por deri tani, askush nga vendet e G7 — përfshirë Republikën Federale të Gjermanisë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanё — nuk kanë marrë një vendim të tillë.
Në prapavijë të këtij vendimi qëndron një mbështetje e fortë për konferencën ndërkombëtare të paqes që mbahet në New York në fund të korrikut, ku do të diskutohet planifikimi pas-luftës dhe implementimi i zgjidhjes dy-shtetërore për Palestinё-Israel. Franca luan një rol kyç në organizimin dhe ndërmjetësimin e kësaj konference.
Nga ana tjetër, disa vende si Australia kanë përcaktuar se nuk do të ndjekin menjëherë këtë shembull, duke argumentuar se njohja mund të jetë e parakohshme, pa një qeverisje funksionale palestineze dhe pa një proces të qëndrueshëm paqeje.
Ky vendim i Francës për të njohur Palestinën synon të krijojë presion diplomatiko-politik për të avancuar drejt paqes, pse jo dhe për të dhёnё një model të ri të dialogut që ka nё themel mbështetjen e hapur dhe jo heshtjen.
Burimi: Reuters, Time, AP News