Kreu Pikante Presidenti francez Emmanuel Macron akuzon: Gruaja ime nuk ka lindur burrë!

Presidenti francez Emmanuel Macron akuzon: Gruaja ime nuk ka lindur burrë!

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, kanë ngritur një padi për shpifje në SHBA ndaj komentatores konservatore amerikane Candace Owens, pas pretendimeve të saj absurde se Zonja e Parë e Francës ka lindur mashkull.

Padia, e dorëzuar në shtetin Delaware, përmban 218 faqe dhe 22 pika akuze, ku çifti Macron akuzon Owens për një fushatë shpifjesh të qëllimshme dhe poshtëruese që ka shkaktuar dhimbje personale dhe ka ushqyer teori të rreme në mbarë botën.

Owens, në një video të fshirë më pas nga YouTube, kishte përsëritur një teori konspirative të bazuar në “hetimet” e blogeres së ekstremit të djathtë francez, Natacha Rey, se Brigitte Macron ka lindur me emrin Jean-Michel Trogneux dhe ka kaluar në tranzicion gjinor në moshën 30-vjeçare.

Përveç akuzës për identitet të rremë, Owens ka përhapur edhe akuza të pavërtetuara për incest, krime të dhunshme dhe kontroll mendor, sipas avokatëve të çiftit Macron. Këto pretendime janë cilësuar nga pala paditëse si “të pabazuara dhe të qëllimshme për të dëmtuar”.

Çifti Macron thekson se i kanë dhënë Owens çdo mundësi për të tërhequr deklaratat, por ajo ka vazhduar t’i përsërisë, duke i detyruar të ndjekin rrugën ligjore.

Kjo padi vjen vetëm pak ditë pasi dy gra në Francë, të dënuara më herët për shpifje ndaj zonjës Macron mbi të njëjtat pretendime, u shpallën të pafajshme në apel – vendim që ka rikthyer vëmendjen dhe sulmet ndaj saj në rrjetet sociale.

Çështja është tashmë në duart e Gjykatës së Kasacionit në Francë, ndërsa në SHBA, për të fituar një padi për shpifje, një figurë publike si Macron duhet të provojë se pretendimet janë bërë me qëllim keqdashës, duke ditur që janë të rreme ose me mospërfillje të qëllimshme ndaj së vërtetës.