Parqe të përmbytura, rrugë të mbuluara me ujë deri në gju dhe nënkalime të zhytura — këto pamje janë gjithnjë e më të zakonshme në Singapor, një shtet ishullor i ulët që përballet gjithnjë e më shumë me atë që ekspertët e quajnë “përmbytje shqetësuese”. Megjithëse këto përmbytje nuk përbëjnë ende kërcënim të madh për jetën dhe pronën, për një vend që e ka planifikimin afatgjatë si themel të politikës shtetërore, këto dukuri janë paralajmërime serioze për të ardhmen.
Parashikimet më të fundit qeveritare tregojnë se deri në fund të këtij shekulli, niveli i detit rreth Singaporit mund të rritet me 1.15 metra. Në një skenar me prurje të shumta ujore, ai mund të arrijë deri në 2 metra deri në vitin 2150. Duke kombinuar këtë me batica ekstreme dhe stuhi detare, deti mund të ngrihet përkohësisht deri në 5 metra mbi nivelin aktual – më shumë se ç’mbulon 30% e vendit.
Zgjidhja: një “Ishull i Gjatë” – digë mbrojtëse dhe zhvillim urban
Për t’i paraprirë kësaj krize, autoritetet kanë propozuar ndërtimin e një vargu ishujsh artificialë prej 8 miljesh (rreth 13 km), të cilët do të shërbejnë si pendë detare për të mbrojtur gjithë bregun juglindor të Singaporit. Projekti, që aktualisht mban emrin e përkohshëm “Long Island”, përfshin rikuperimin e rreth 8 km² toke nga Ngushtica e Singaporit – një sipërfaqe sa dy herë e gjysmë Central Park në Nju Jork.
Fillimisht propozuar që në vitet ’90, ideja ka marrë vrull në vitet e fundit. Në 2023, Agjencia e Zhvillimit Urban tё Singaporit publikoi një plan fillestar që përfshin ndërlidhjen e tre sektorëve me porta baticash dhe stacione pompimi. Studimet inxhinierike dhe mjedisore janë ende në zhvillim, dhe forma përfundimtare e ishujve mund të ndryshojë, por zyrtarët duken të vendosur ta realizojnë projektin brenda këtij shekulli.
Mbrojtje dhe mundësi të reja për jetesë
Përtej mbrojtjes bregdetare, projekti ka për qëllim të krijojë më shumë hapësira për banim, rekreacion dhe zhvillim ekonomik. Do të krijohen mbi 20 kilometra parqe të reja buzë detit, dhe sipas konsulentëve të pasurive të paluajtshme, Long Island mund të ofrojë hapësirë për ndërtimin e 30,000 deri në 60,000 shtëpive të reja.
Në një treg ku toka është e pakët dhe e shtrenjtë, kjo është një mundësi e çmuar për të përmbushur nevojat e komunitetit.
Një rezervuar i ri uji në mes të detit
Singapori, edhe pse me klimë tropikale dhe investime në impiante ujore, vazhdon të varet nga importet e ujit nga lumi Johor në Malajzi. Me përdorimin e ujit që pritet të dyfishohet deri më 2065 dhe me tensionet e vazhdueshme me Malajzinë për marrëveshjen aktuale, vetë-mjaftueshmëria me ujë është prioritet strategjik.
Long Island, duke u lidhur në të dy skajet me tokën, do të krijojë një rezervuar gjigant për ruajtjen e ujërave të ëmbla, që sot derdhen në det. Sipas ekspertëve, ky rezervuar mund të ketë ndikim domethënës në sigurimin e ujit për dekadat në vijim.
Një projekt shekullor për të ardhmen
Qeveria thotë se Long Island do të marrë disa dekada për t’u projektuar dhe ndërtuar. Edhe pasi toka të rikuperohet, mund të duhen vite apo dekada që të stabilizohet për ndërtim. Projekti mbështetet fuqimisht nga elita politike e vendit, duke përfshirë edhe kryeministrin aktual, që e ka përfshirë atë në programin zgjedhor të partisë në pushtet.
Toka e re është thelbësore për mbijetesën e Singaporit — që sot ka një sipërfaqe 25% më të madhe sesa në kohën e kolonizimit britanik. Edhe zona ku do ndërtohet Long Island u mor pjesërisht gjatë “Rikuperimit të Madh” në vitet ’60–’70.
Sfida mjedisore dhe gjeopolitike
Projektet e mëdha të rikuperimit të tokës kanë edhe kosto mjedisore. Long Island pritet të kërkojë 240 milionë ton mbushje, kryesisht rërë – një burim gjithnjë e më i kufizuar për shkak të ndalimeve të eksportit nga vende si Indonezia, Malajzia dhe Vietnami. Singapori po eksploron alternativa si hiri nga mbeturinat e incineruara, dhe material ndërtimi të ricikluar.
Organizatat mjedisore, përfshirë Nature Society Singapore, kanë ngritur shqetësime për ndikimin mbi gjallesat lokale, si krimbat detarë, breshkat dhe zogjtë e rrallë që ngrenё foletё në breg.
Një pjesë e një tabloje më të madhe
Singapori nuk është i vetëm. Vende si Indonezia, Tailandia, Maldive dhe Danimarka kanë propozuar ose nisur projekte të ngjashme për të mbrojtur bregdetin nga ndryshimet klimatike.
Por ndryshe nga këto vende, projekti i Long Island ka hasur pak rezistencë publike në Singapor – një vend që ka investuar 2.5 miliardë dollarë që nga 2011 për të përmirësuar sistemin e kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet.
Ekspertët theksojnë se Long Island është vetëm një element i strategjisë më të gjerë për përshtatje me klimën, e cila mund të përfshijë edhe zgjidhje natyrore si shtretër guaskash, shkёmbinj koralorё, apo pyje bregdetare.
“Si një shtet i ulët dhe i varur nga bregu i tij, Singapori duhet të mendojë gjithmonë për të ardhmen,” përfundon profesori Adam Switzer.
Pёrshtatur nё shqip nga CNN. Pёr mё shumё: https://edition.cnn.com/2025/07/23/style/singapore-long-island-dfi