Në Shqipëri, SPAK (Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq me disa akuza të rënda, 16 persona dhe 4 kompani, për dyshime se janë implikuar të organizuar, në një skemë financiare të mashtrimit me kreditë.
Dy kompani mikrofinance, Micro Credit Albania dhe Final, bashkë me disa persona të lidhur me to, dyshohet se janë përfshirë në një skemë të krimit financiar me pasoja të rënda dhe në formë të organizuar.
Prokuroria e Tiranës, pas disa vitesh hetimi, arriti të zbardhë skemën e mashtrimit dhe një pjesë të rëndësishme të personave të përfshirë në të.
SPAK, nga ana e tij, thelloi hetimet dhe arriti në konkluzionin se, 16 të dyshuar kishin krijuar një Grup të strukturuar kriminal, me anën e të cilit, mashtruan shumë njerëz duke përdorur truke financiare që lidhen me fushën bankare dhe mikrofinancat.
SPAK njoftoi në një komunikatë për mediat se, disa kompani dhe 16 persona të dyshuar:
- Ushtronin aktivitetin në të njëjtin vend;
- Përdornin të njëjtin sistem kompjuterik apo softe kompjuterike, të krijuara në funksion të kryerjes së veprës penale;
- Financonin me burime monetare reciprokisht njëri-tjetrin;
- Punonjësit e tyre kalonin sa në një shoqëri në tjetrën dhe kryenin veprimtarinë e tyre, në dukje për mbledhjen e detyrimeve të cilësuara si kredi të këqija, por me qëllimin e qartë kriminal, të pasurimit të paligjshëm, në dëm të një numri shumë të lartë qytetarësh. Qëllimi i tyre u bë i qartë prej momentit të krijimit të këtij aktiviteti, i cili ka zgjatur më shumë se 9 vite.
Nga hetimet, SPAK zbuloi se, si rezultat i veprimtarisë kriminale të këtij grupi të strukturuar kriminal, qytetarët në vështirësi ekonomike kanë rënë në grackën e kësaj skeme përmes:
- Shtrëngimit;
- Përdorimit në kundërshtim me ligjin të të dhënave personale të familjarëve të debitorëve;
- Keqbesimit dhe fakteve të pavërteta;
SPAK tregoi në njoftimin publik edhe qëllimin e skemës së mashtrimit. Synimi kriminal ishte:
- Të shumëfishonte në mënyrë të paligjshme detyrimet e qytetarëve përtej detyrimit të përcaktuar në urdhrat e ekzekutimit;
- Të mblidhte borxhet me metoda të paligjshme, jo vetëm tek ata që kishin marrë borxhin por edhe tek familjarë apo të afërm të tyre, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me borxhet e marra nëpër banka apo kompanitë e mikrokreditit;
- Të kalonin pasuri/prona të paluajtshme në ankande fiktive, në pronësi të institucioneve financiare të mikrokredisë, Micro Credit Albania dhe Final.
SPAK, zbuloi se, për realizimin e mashtrimit:
- Punonjësit e kompanive të mikrokreditit, kryen qindra mijëra njoftime të paligjshme dhe telefonata kërcënuese tek borxhinjtë dhe familjarët e tyre;
- Dhjetëra-mijëra llogari bankare të qytetarëve u bllokuan dhe qëndruan të bllokuara në kundërshtim me ligjin për disa vite;
- Pasuri të paluajtshme u sekuestruan për vlera detyrimi minimale dhe u kaluan në pronësi të shoqërive Micro Credit Albania dhe Final me ankande fiktive.
Përveç pasojave të kundërligjshme ekonomike, SPAK dyshon se, veprimtaria kriminale e këtij grupi të strukturuar kriminal, ka shkaktuar edhe pasoja shumë të rënda sociale.
Kush janë të pandehurit e SPAK dhe akuzat për ta?
Të gjithë të akuzuarit kanë të njëjtën vepër për të cilën SPAK i akuzon: “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Grup i strukturuar kriminal”, në rolin e krijuesit, organizuesit dhe drejtuesit dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” – parashikuar nga nenet 143/3; 186; 333/a/1 dhe 334, paragrafi i parë të Kodit Penal.
Emrat e akuzuar:
- Arben Meskuti
- Elda Ibro
- Alban Kote
- Aldo Daka
- Albert Gega
- Andis Gjoka
- Vasil Bakallbashi
- Yliana Sejfo
- Indrit Çuberi
- Rigels Bejko
- Altin Vako
- Helidon Xhindi
- Fatos Alimadhi
- Lefter Canaj
- Roland Deda
- Endri Myftari
- Personi juridik “Micro Credit Albania” sh.p.k.
- Personi juridik “ADCA” sh.p.k.
- Personi juridik “Final” sh.p.k.
- “Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group”
Skema e mashtrimit me kredi, ka prekur një kategori të madhe në shtresat e ndryshme shoqërore në Shqipëri, në veçanti ato me pak të ardhura. Procesi i gjykimit të të akuzuarve nga SPAK, pritet të fillojë në shtator të këtij viti, dhe pritet të jetë një nga gjyqet me më shumë dëshmitarë se ҫdo gjyq tjetër, për faktin se janë me dhjetëra e qindra të mashtruar nga radhët e atyre që morën një kredi e më pas humbën gjithçka.