Kreu Drejtësi Kryetari i Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj merret zyrtarisht i pandehur nga SPAK

Kryetari i Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj merret zyrtarisht i pandehur nga SPAK

Pas një procesi disa mujor hetimi, shumë të diskutuar në median dhe rrethet e politikës së lartë shqiptare, zyrtarizohen disa akuza penale, për kryetarin e Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa.

Çifti “bashkiak” priti hetimet e SPAK të ndarë për shkak të vendimit shumë të diskutuar të SPAK për ta mbajtur në burgim kryetarin e bashkisë dhe lënë të lirë deri në përfundim të hetimeve bashkëshorten e tij. Për disa muaj kërkesat për të fituar përkohësisht lirinë, u hodhën poshtë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar, përfshirë Gjykatën e Lartë.

Sot, Erjon Veliaj mori statusin e “të pandehurit”, status që iu komunikua nga SPAK, bashkë me të të njëjtin “fat” qё e pësuan edhe 30 persona të tjerë, ku janë përfshirë disa kompani ndërtimi dhe shoqata.

Ndërkohë në emër të Erjon Veliaj rëndojnë akuzat pёr kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim dhe disa herё, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Atij i ёshtё shtuar edhe akuza e futjes së sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit, procedim ky qё është ndarë nga dosja e korrupsionit.

Në grupin e të akuzuarve nga SPAK, e pandehur është marrë dhe deputetja e Partisë Socialiste dhe njëherazi kryetarja e Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, Klotilda Bushka.

Sipas dosjes hetimore, SPAK ka ngritur dyshime serioze se znj. Bushka ka qenë pjesë e një fushate të organizuar për të frikësuar dëshmitarët, për të penguar zbardhjen e të vërtetës dhe për të asgjësuar prova të rëndësishme, në një përpjekje të drejtpërdrejtë për të ndikuar hetimin penal.

Pritet që në Tiranë të mblidhet Këshilli Bashkiak, për të propozuar ndonjë ndryshim në zëvendësimin apo shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për shkak të statusit të tij, si i pandehur zyrtarisht dhe nën akuzë nga SPAK.

Pritet me interes edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama në rrethanat e reja, kur bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Erjon Veliaj, nuk arriti të dalë nga burgu, përkundrazi përkeqësoi pozitën e tij juridike, duke u vendosur zyrtarisht nën akuzë nga SPAK.