Një pushues nga Staten Island përjetoi tmerrin në mes të ditës në Milano kur, në trenin e parashikuar për në Firence, katër burra të armatosur me thika e sulmuan mizorisht, duke i prerë qafën për të grabitur valixhen e tij personale.
Nicholas Pellegrino, 29 vjeç, mësues në Archbishop Riordan High School në San Francisco, u gjend përballë një skene makthi kur katër persona – të dyshuar si shtetas nga Maroku dhe Tunizia – e sulmuan brutalisht në një tren afër Milanos, duke i marrë pasaportën, laptopin dhe një kryq prej floriri që mbante në qafë.
Ai u shtrua në spitalin e San Donato Milanese, ku mjekët evidentuan humbjen e rreth një litri gjak dhe i bënë nëntë qepje në qafë. Gjendja e tij është e stabilizuar, por mjekët thonë se çdo minutë ishte vendimtare për jetën e tij.
Përtej plagëve fizike, Pellegrino përjetoi edhe një moment shpirtëror thelbësor: “Kthimi në jetë duket si një mrekulli”, – u shpreh ai, duke falënderuar besimin që, siç tha, i shpëtoi jetën.
Forcat e rendit zbuluan se të njëjtët të dyshuar mund të jenë të përfshirë edhe në sulme të tjera të ngjashme në tren dhe në rrugët e Milanos. Policia arrestoi katër persona, përfshirë dy nga Afrika e Veriut.
Pellegrino, i lënduar por i fortë, po rikuperohet dhe pritet të kthehet në Shtetet e Bashkuara brenda muajit korrik.
Ngjarja ka ndezur reagime të forta në Itali, duke rikthyer në qendër të debatit çështjen e sigurisë dhe menaxhimit të emigracionit. Politikanë të spektrit të djathtë kanë kërkuar masa më të ashpra ndaj emigrantëve pa dokumente, ndërsa opinioni publik ka shpërthyer në rrjete sociale me thirrje për kontrolle më të rrepta në transportin publik.
Burimet e informacionit: New York Post, SFGate, ABC7 News.